Foda dhe Hajdari kërkojnë fitore ndaj Zvicrës

- Bota Sot

Foda dhe Hajdari kërkojnë fitore ndaj Zvicrës

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, të hënën në një konferencë për media, ka folur për duelin kundër Zvicrës.

Dardanët dhe zviceranët do të masin forcat të martën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, në sfidën e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kombëtarja jonë për të siguruar kualifikimin direkt në Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm në Amerikë, duhet të mposht Zvicrën me rezultat 6-0, rezultat ky që është tejet i vështirë përball Zvicrës.

Foda mendon se në teori është e mundur fitorja, por, sipas tij, është vështirë të mposhtët Zvicra 6-0.

“Këtë punë e kemi diskutuar, ju kam thënë që të luajnë mirë dhe të paraqiten ndaj Zvicrës. Kosova nuk e ka treguar fytyrën e vërtetë, paraqitjen e vërtetë. Zvicra ka pasur paraqitje konsistante pozitive, në teori është e mundur, por kuptohet është vështirë për t’u arritur një 6-0 ndaj Zvicrës”, ka thënë Foda.

Strategu gjerman nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të formacionit në duel me helvetët.

“Sigurisht është shumë e rëndësishme të paraqitemi dhe të kemi përformancë të mirë. Duam ndaj Zvicrës të tregojmë fytyrë tjetër dhe ta bëjmë për vete. Sot e kemi seancën stërvitore, do të flasë me disa lojtarë dhe ndoshta do të kemi disa ndryshime në formacion”, theksoi Foda.

Foda është pyetur se a do të jetë Edon Zhegrova titullar ndaj Zvicrës?

“Nuk kam deklaruar se i kam premtuar minuta. Në ndeshjen e kaluar kemi luajtur sistem ndryshe 3-5-2 dhe trajneri vendosi se kë do të luajë. Nesër është lojë ndryshe, e dimë çfarë rëndësie ka te kombëtarja dhe çfarë gjendje është. Zhegrova është shumë i rëndësishëm dhe do të shohim nëse do të nevojitet në ndeshjen e radhës”, pohoi Foda.

Ndërkaq, mbrojtësi Albian Hajdari thotë se Kosova në duel me Zvicrën hyn për fitore. Ai beson se kombëtarja jonë edhe në duel me Zvicrën do të vazhdojë serinë pozitive.

“Besoj se çdo lojë është e rëndësishme. E kem një seri pozitive, përpos me Zvicrën ose kemi fituar ose kemi marrë një pikë. Na hymë për tre pikë. E dimë që me ndeshjen e fundit hymë në histori, por duam të shkruajmë histori edhe me pikë të fituara”, tha Hajdari.

Ai ka folur edhe për deklaratën e Granit Xhakës rreth përzgjedhjen e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të veshur fanellën e Kosovës.

“Kemi vendos për Kosovën, kemi diskutuar me njerëzit e afërt. Çfarë thonë të tjerët, është mendimi i tyre. Është mendimi i Granitit, respekte për të dhe karrierën e tij dhe vetëm suksese”, Albian Hajdari.



Read it all at Bota Sot