Anija me flamur turk ORINDA u godit nga një dron rus ndërsa po shkarkonte ngarkesën në portin Izmail të Ukrainës, afër kufirit me Rumaninë (jo në Odesë, siç u tha fillimisht në disa raportime).
Tanker-i, që transportonte 4.000 tonë gaz të lëngshëm nafte (LPG), u sulmua gjatë operacionit të shkarkimit. Ekuipazhi turk u evakuua menjëherë dhe me siguri, pa të lënduar.
Zjarri i madh që shpërtheu në anije nxit frikën për shpërthim të mundshëm, çka çoi në masa të jashtëzakonshme sigurie. Autoritetet rumune evakuuan plotësisht fshatin Plauru, që ndodhet pikërisht përballë Izmailit, në anën tjetër të Danubit.
Kryetari i komunës Ceatalchioi, Tudor Cernega, deklaroi: Kontrolluam çdo shtëpi, zhvendosëm njerëzit dhe kafshët, mbyllëm qarkullimin. Distanca është shumë e vogël dhe rreziku i shpërthimit është i lartë. Po ndjekim situatën çdo minutë.
Mediat turke dhe ukrainase konfirmojnë se sulmi u krye nga një dron rus. Ngjarja po ndiqet me vëmendje të madhe nga Ankaraja dhe Bukureshti, duke qenë se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.
Kjo është hera e parë që një anije me flamur të një vendi anëtar të Aleancës goditet drejtpërdrejt në këtë zonë që nga fillimi i luftës, çka rrit ndjeshëm shqetësimin për përshkallëzim të mëtejshëm.