“Cloudflare” sqaron çfarë e rrëzoi gjysmën e internetit, mohon të ketë qenë sulm

- Bota Sot

“Cloudflare” sqaron çfarë e rrëzoi gjysmën e internetit, mohon të ketë qenë sulm

Pas kolapsit të gjysmës së internetit të martën pasdite, një prej udhëheqësve të Cloudflare, Dane Knecht, ka shpjeguar publikisht shkakun e ndërprerjes masive.

Përdoruesit që tentonin të hynin në X, ChatGPT e platforma të tjera, shihnin njoftimin: “Internal server error on Cloudflare’s network, please try again in a few minutës”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Knecht mori përgjegjësinë.

“S’do t’i zbus fjalët: sot dështuam ndaj klientëve tanë dhe ndaj internetit në tërësi. Një problem në rrjetin e Cloudflare ndikoi një sasi të madhe trafiku që varet prej nesh. U kërkoj falje të gjitha faqeve, bizneseve dhe organizatave që u prekën nga ky ndikim”, tha Knecht në X.

Platforma të mëdha si X, ChatGPT dhe Canva u goditën nga ndërprerja, por ai theksoi se “nuk ishte sulm”.

“Transparenca ka rëndësi dhe në orët në vijim do të publikojmë një përmbledhje të detajuar. Shkurt: një defekt i fshehtë në një shërbim që mbështet sistemin tonë të mbrojtjes ndaj bot-eve filloi të shkaktonte rënie pas një ndryshimi rutinë konfigurimi. Kjo çoi në rënie të rrjetit tonë në shkallë të gjerë. Nuk ishte sulm”, shpjegoi ai.

Knecht e pranoi se ndikimi dhe koha e reagimit nuk ishin të pranueshme.

“Po punojmë që kjo të mos ndodhë më. E di që sot shkaktoi probleme reale. Besimi që klientët vendosin tek ne është ajo që vlerësojmë më shumë dhe do të bëjmë çfarë duhet për ta fituar sërish”.

Ndërkohë, pak minuta më parë, Knecht njoftoi se problemet me rrjetin e Cloudflare janë zgjidhur rreth orës 15:30 (sipas kohës lokale), duke rikthyer trafikun si prioritet të parë.

Megjithatë, kompania thotë se incidenti kërkoi punë shtesë për të rikthyer plotësisht edhe ‘control plane’ – panelin e kontrollit dhe API-të që klientët përdorin për konfigurime.

“Sipas përditësimit të fundit, ‘control plane’ tani është plotësisht funksional dhe ekipet po monitorojnë vazhdimisht shërbimet për t’u siguruar që gjithçka funksionon normalisht”, tha Knecht.

“Cloudflare” paralajmëroi se brenda pak orësh do të publikojë një shpjegim të plotë se çfarë shkoi keq dhe çfarë hapash do të ndërmarrë për të shmangur përsëritjen e një situate të tillë.



Read it all at Bota Sot