Gianni De Biasi është pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit kuqezi. Mbrëmjen e së dielës ai ishte në stadium për të ndjekur kombëtaren tonë, por edhe të tijën, duke qenë se edhe në intervistën për TCH, ai i referohet si kombëtarja jonë.
”Sigurisht një ndeshje shumë e mirë përballë Anglisë, një kundërshtari të një tjetër niveli teknik e taktik, megjithatë duhet thënë se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme edhe nga këndvështrimi i përgatitjeve për ndeshjet e ardhshme të play off-it, edhe pse ende nuk dihet kundërshtari.
Është shumë e rëndësishme që të mos kthehemi në skllevër të ndeshjeve të marsit dhe t’i konsiderojmë gjithë kohës sikur kemi një peshë të rëndë mbi supe.
Mendoj që duhet t’i marrim pak më qetë ato ndeshje, por në të njëjtën kohë të bindur se kemi shumë forcë brenda grupit tonë”, thotë De Biasi.
Nga ana tjetër, sa i përket play off-it dhe kundërshtarit të radhës për kuqezinjtë, De Biasi ka një të preferuar. ”Me shumë mundësi skuadrat me të cilat ne mund të përballemi janë Skocia, Sllovakia, Republika Çeke apo Polonia.
Mendoj që e vetmja ose më mirë, do të doja që kundërshtari ynë të ishte Sllovakia. Ngjan e çuditshme, por unë me ta jam përballur kur drejtoja Azerbajxhanin dhe besoj që Shqipëria mund ta mundë”.