Avokati Luka M. Jovanovich, në emër të klientit të tij Haki Emini, ka njoftuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, lidhur me vështirësitë me të cilat, sipas tij, po përballen shqiptarët etnikë nga Serbia Jugore kur tentojnë të hyjnë në Kosovë.
Në letrën e tij, Jovanovich thekson se politika e reciprocitetit e zbatuar nga Qeveria e Kosovës ka sjellë pasoja të rënda për këtë komunitet. Sipas tij, Kosova nuk njeh pasaportat e lëshuara nga autoritetet serbe, duke kërkuar vetëm karta identiteti për hyrje. Megjithatë, shumë shqiptarë të Serbisë Jugore nuk mund të pajisen me kartë identiteti, pasi janë hequr nga regjistri civil serb, ndërkohë që ende u lëshohen pasaporta – dokument që Kosova nuk e pranon.
“Ju shkruaj me kërkesë të klientit tim, z. Haki Emini, me qëllim që tju sjell në vëmendje vështirësitë me të cilat po përballen shumë shqiptarë etnikë nga Serbia Jugore në Kosovë për shkak të politikave të qeverive të Kosovës dhe Serbisë, konkretisht atyre që janë shkaktuar nga dështimi i këtyre qeverive për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen Franceze-Gjermane dhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023. Në fakt, për shkak të politikës së qëndrueshme të reciprocitetit të Kosovës, qeveria e saj nuk njeh asnjë dokument të lëshuar nga autoritetet serbe, përveç nëse ato i njohin të njëjtat dokumente kur ato lëshohen nga Kosova. Si rezultat i kësaj politike, Kosova nuk njeh pasaportat e lëshuara nga autoritetet serbe, por njeh kartat e identitetit serb. Shtetasit serbë që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë duhet të paraqesin një kartë identiteti të vlefshme. Kjo i vë shqiptarët etnikë nga Serbia Jugore - shumë prej të cilëve kanë miq, familje dhe lidhje biznesi në Kosovë - në një situatë jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në letrën avokatit në Beograd dërguar Peter Sorensen.
Avokati argumenton se ky paradoks u krijon pengesa serioze njerëzve që kanë lidhje familjare, miqësore dhe ekonomike në Kosovë. Ai shprehet se përpjekjet për t’i bërë autoritetet kosovare të ndërmarrin hapa për zgjidhjen e këtij problemi kanë rezultuar të pasuksesshme.
Sipas Jovanovich, situata përbën shkelje të Nenit 1 të Marrëveshjes Franko-Gjermane dhe marrëveshjes së Ohrit, që parashehin njohje reciproke të dokumenteve të udhëtimit mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë pasaportat.
Në përfundim, ai i kërkon emisarit të BE-së që të përdorë autoritetin e tij për të ngritur këtë çështje në dialogun mes dy vendeve dhe për të mbrojtur, siç thotë, qytetarët që po vuajnë pasojat e moszbatimit të marrëveshjeve nga të dy qeveritë.