Milan vazhdon përgatitjet në Milanello për derbin e së dielës kundër Interit, një sfidë ku Massimiliano Allegri pritet të ketë në dispozicion pothuajse të gjithë grupin. Pas rikthimit në stërvitje të emrave si Maignan, Gabbia dhe Ricci, sot dhe nesër do të bashkohen edhe lojtarët e fundit që ishin me ekipet kombëtare, duke kompletuar më në fund skuadrën.
Adrien Rabiot është lajmi më i mirë i ditëve të fundit.
Mesfushori francez ka kaluar plotësisht dëmtimin në muskulin e pulpës dhe ka nisur stërvitjen me grupin. Ai pritet të jetë nga minuta e parë në mesfushë, së bashku me Luka Modric dhe Fofana, duke i dhënë Allegrit një repart qendror me eksperiencë dhe personalitet.
Formacioni, vetëm një dyshim
E vetmja dilemë e Allegrit mbetet krahu i majtë i mbrojtjes. Atje, Davide Bartesaghi, që pritet të rikthehet nesër nga detyrat me U-21, dhe Pervis Estupiñan, që ka mbetur në Milanello gjatë gjithë pushimit, garojnë për një vend titullari.
Pjesa tjetër e formacionit duket e vendosur: Maignan, Tomori, Gabbia, Pavlovic, Saelemaekers, Modric, Fofana, Rabiot, Pulisic, Leao.
Pulisic dhe Leao, dyshe e re dhe një derbi i veçantë
Për herë të parë këtë sezon, Milan do të nisë ndeshjen me dyshen e përbërë nga Christian Pulisic dhe Rafael Leao. Sulmuesi portugez vjen i motivuar pas kualifikimit në Botëror dhe një dite pushimi me familjen në Portugali.
Derbi do të ketë një emocion të veçantë për Leaon: për herë të parë, dy djemtë e tij, Thiago dhe Leonardo, do të jenë në tribunat e ‘San Siros’ për ta ndjekur. Me tre gola të shënuar deri tani kundër Interit në karrierën e tij, kjo do të jetë një arsye më shumë që ai të kërkojë të lërë gjurmë edhe një herë.