Laporta synon të transferojë Erling Haalandin

- Bota Sot

Laporta synon të transferojë Erling Haalandin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vënë sërish në shënjestër ‘bomberin’ norvegjez të Manchester City-t, Erling Haaland, dhe dëshiron me çdo kusht ta afrojë në “Camp Nou” para zgjedhjeve të reja presidenciale në vitin 2026.

Sipas “El Nacional”, Laporta e sheh ardhjen e Haaland-it si armën e tij të fortë për të fituar një mandat tjetër në krye të klubit katalanas.

Burimi shkruan se vetë sulmuesi norvegjez është i hapur për të dëgjuar oferta dhe nuk e përjashton mundësinë e një transferimi në Barcelonë, pavarësisht se ndodhet në kulmin e karrierës së tij te City. Laporta, që prej rikthimit në presidencë, e ka pasur si ëndërr afatgjatë firmosjen me Haaland-in, por kushtet financiare të operacionit e kanë bërë gjithmonë të vështirë.

Kontrata e norvegjezit me Manchester City-n është e vlefshme deri në vitin 2034 dhe nuk përfshin klauzolë lirimi, çka e bën çdo negociatë të komplikuar dhe potencialisht shumë të kushtueshme. Haaland fiton rreth 25 milionë euro në vit, përfshirë bonuset, një pagë që Barcelona duhet ta menaxhojë me kujdes për shkak të kufizimeve financiare dhe rregullave të “fair play-t financiar”.

Pavarësisht kësaj, Laporta beson se transferimi i një lojtari të këtij profili do të rilindte projektin sportiv të Barcelonës së Hans Flick, do të jepte entuziazëm të madh tek tifozët dhe do ta forconte ndjeshëm pozicionin e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Erling Haaland, 25 vjeç, po zhvillon një tjetër sezon spektakolar te Manchester City, me 22 gola dhe 2 asistime në 19 ndeshje të luajtura deri tani. Forma e tij brilante vetëm sa e rrit vlerën e tij në treg dhe dëshirën e klubeve të mëdha për ta pasur në ekip.

Çështja Haaland pritet të mbetet një nga dosjet më të nxehta në Barcelonë gjatë vitit 2026, ndërsa Laporta kërkon të realizojë një nga goditjet më të mëdha në historinë e klubit.



Read it all at Bota Sot