Jordi Alba shuan çdo krahasim

- Bota Sot

Jordi Alba shuan çdo krahasim

Ish-mbrojtësi i majtë i Inter Miamit dhe një nga figurat më të rëndësishme të Barcelonës në dekadën e fundit, Jordi Alba, i cili para pak javësh njoftoi tërheqjen nga futbolli në fund të sezonit, është rikthyer të flasë në një intervistë për “El Larguero”. Alba ndau mendimet e tij për vendimin e vështirë për të mbyllur karrierën dhe, natyrisht, për Lionel Messin dhe talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal.

Alba shpjegoi se vendimi për t’u tërhequr ka qenë i menduar mirë:

“Jam mjaft i qetë, edhe pse nga njëra anë futbolli do të më mungojë.

Pas tërheqjes do të kthehem në Barcelonë. Përvoja në nivel familjar ka qenë shumë e mirë, edhe në aspektin futbollistik, por cilësia e jetës në Spanjë është spektakolare. E dija që mund të qëndroja edhe një vit, ndoshta dy, por nuk do të pendohesha. Projekte të reja janë në horizont dhe vendimi ishte i matur, ashtu siç ishte ai për t’u larguar nga Barcelona. Ende e shijoj futbollin, por entuziazmi i moshës 20-vjeçare nuk është më i njëjtë.”

I pyetur nëse do të kthehet në ‘Camp Nou’ për një përshëndetje madhështore, siç pritet të ndodhë me Messin, Alba qeshi:

“Jo, jo! Ai është më i miri në histori. Është normale që ka ‘çelësat’ e stadiumit.

Unë do të kënaqem duke shkuar të shoh ndeshjet me familjen time. Messi nuk më ka thënë asgjë dhe as nuk ia kam kërkuar.

Leo e meriton një tribut të madh dhe shpresoj që të ndodhë, sepse të gjithë e presin atë moment.”

Natyrisht, nuk mund të mungonte pyetja për Lamine Yamal, talent 18-vjeçar që shumë e shohin si trashëgimtarin e Messit. Por Alba e mohoi kategorikisht një krahasim të tillë:

“Lamine është një lojtar fantastik. Ashtu si De Jong, Pedri, Gavi… të gjithë janë shumë të mirë. Por krahasuar me Leon? Nuk ka asnjë krahasim të mundshëm. Ai është i pakonkurueshëm, sipas mendimit tim.”

Me këtë deklaratë, Alba e bën të qartë se, pavarësisht potencialit të jashtëzakonshëm të Lamine Yamal-it, figura e Lionel Messit mbetet unike dhe e paarritshme në historinë e futbollit.



Read it all at Bota Sot