Sulmuesi i Slavia Pragës dhe i Sllovakisë, Ivan Schranz, ka reaguar pas shortit të playoff-it ku Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinale për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Schranz ka pranuar se aktualisht nuk ka shumë njohuri rreth ekipit të Kosovës, por ka theksuar se në këtë fazë çdo kundërshtar është i rrezikshëm.
“Nuk kam pasur favorit se me kë do të doja të përballesha, sepse secili kundërshtar në playoff është i fortë.
Nuk di shumë për Kosovën për momentin, por deri në mars do të kemi mjaftueshëm informata dhe do ta analizojmë në mënyrë të përkryer,” ka deklaruar ai.
Sulmuesi 32-vjeçar ka shtuar se fakti që ndeshja do të luhet në shtëpi është një avantazh i rëndësishëm për Sllovakinë.
“Jam i lumtur që do të luajmë në shtëpi. Besoj se tifozët do të jenë në numër të madh dhe do të na përkrahin,” u shpreh Schranz.
Në këtë sezon, Schranz ka zhvilluar 12 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me dy gola dhe një asistim, formë që e bën një nga armët e rrezikshme të Sllovakisë në duelin e marsit.
Playoffi pritet të jetë një përballje e fortë, ndërsa të dyja skuadrat synojnë biletën e artë drejt Botërorit 2026..