Ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, Adenis Shala me Nasafin e tij kanë humbur 1:0 derbin e kreut të renditjes në elitën e Uzbekistanit.
27 vjeçari nga Prishtina u largua në verë nga Shkëndija e Tetovës për të kaluar te Nasaf Qarshi, mirëpo në këto muaj të parë nuk është se është adaptuar më së miri në Uzbekistan ku ka luajtur 8 ndeshje pa gjetur ndonjë gol apo asist.
Pas ndeshjes së xhiros së 29-të të Superligës Pakhtakor–Nasaf (1:0), futbollisti i “dragojve” Adenis Shala foli para mediave.
“E dinim që ndeshja do të ishte e vështirë dhe u përgatitëm mirë për të. Mendoj se sot ne luajtëm më mirë se “Pakhtakor”, por për fat të keq, fati nuk ishte në anën tonë”, tha sulmuesi këmbëshpejtë, që në vijim nga gazetarët u përball me pyetjen e radhës:
Statistikat tuaja këtë sezon nuk kanë qenë shumë të mira. Çfarë ju ka penguar të përshtateni me Superligën?
“Unë gjithmonë shikoj përpara. Në futboll, statistikat nuk maten vetëm me gjashtë muaj.
Para disa javësh u dëmtova dhe më duhej të qëndroja një muaj jashtë fushës. Tani gjithë vëmendja ime është tek objektivat që kam përpara dhe përmirësimi i lojës sime”, përfundoi Shala që me Nasafin tash janë në vend të tretë me 58 pikë, një më pak se Pakhtakor në vendin e dytë, derisa lider me 61 pikë dhe një ndeshje më pak është Neftchi.