Tirana po kalon një moment të errët, mjafton të shohësh tabelën e renditjes për të kuptuar krizën totale të skuadrës më të titulluar në vend.
Vendi i fundit pas 11 javësh kampionat, vetëm 6 pikë, 4 humbje radhazi dhe me trajnerin e 3-të në stol, pas largimit të Vangjel Miles dhe Roberto Bordin.
Për të kapërcyer krizën e Tiranës, trajneri aktual Ardian Nuhiu ka së pari detyrën të ndalojë “hemorragjinë” e golave të pësuar. Kryeqytetasit janë shumë të brishtë në prapavijë, kanë pësuar më shumë gola se 9 skuadrat e tjera të Superiores, 19 gola. Një shifër shumë e lartë. Pas saj vijnë Partizani dhe Flamurtari, por me nga 4 gola të pësuar më pak.
Qartazi diçka nuk funksionon në lojën mbrojtëse të Tiranës, që pëson gol me shumë lehtësi dhe më pas e ka të pamundur të shkojë te rezultati pozitiv.
Duke nisur nga ndeshja e së dielës në Vlorë, Tirana duhet të “kyçë” portën, në të kundërt do të vazhdojë të vuajë për të marrë pikë mbijetese.
Edhe Flamurtari, kundërshtari i radhës, është një skuadër që pëson shumë dhe bardheblutë mund të përfitojnë. Kjo ndeshje vlen dyfish, sepse si kryeqytetasit, ashtu edhe vlonjatët, kundër çdo parashikimi, janë rivalë direkt për qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Mbrojtja në futboll është thelbësore për të arritur objektivat, jo më kot thuhet se “sulmi fiton ndeshjet, mbrojtja fiton trofe”.