Conte takim kokë më kokë me futbollistët: Le ta nisim nga e para!

- Bota Sot

Conte takim kokë më kokë me futbollistët: Le ta nisim nga e para!

Te Napoli po fryjnë erëra ndryshimi. Pas humbjes së dhimbshme ndaj Bolonjës dhe polemikave që shpërthyen pas komenteve të tij, Antonio Conte ka mbledhur skuadrën në një takim të gjatë dhe intensiv, duke i kthyer të gjitha në pikën zero: “Le të fillojmë nga e para.”

Trajneri mori disa ditë pushim për të qetësuar situatën, duke pritur rikthimin e të gjithë lojtarëve që ishin me ekipet kombëtare. Sapo grupi u kompletua, ai kërkoi një takim urgjent, ballë për ballë, pa kamera dhe pa filtra.

Sipas mediave italiane, takimi ka qenë i hapur dhe i drejtpërdrejtë. U diskutuan gabimet ndaj Bolonjës, kriza e brendshme e krijuar nga deklaratat e trajnerit dhe qëndrimi publik i presidentit De Laurentiis, i cili e kishte mbështetur publikisht skuadrën dhe teknikun.

Conte u ka kërkuar lojtarëve t’i shikonin gjërat me realizëm dhe t’i përballonin problemet pa justifikime. Ai ka theksuar se ekipi duhet të ribashkohet dhe të rindërtojë frymën e grupit nga e para.

Ai ka kërkuar rikthimin e identitetit që e çoi Napolin drejt titullit para vetëm pak muajsh: një skuadër e uritur, agresive, kompakte dhe e bashkuar.



Read it all at Bota Sot