Raphael Varane dëshiron të kthehet te Real Madridi

- Bota Sot

Raphael Varane dëshiron të kthehet te Real Madridi

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Raphael Varane, pjesë e skuadrës së parë madrilene nga viti 2011 deri në 2021, ka rrëfyer në një intervistë për “AS” dëshirën për t’u rikthyer te klubi i tij i zemrës, këtë herë në një rol jashtë fushës së lojës.

Varane thotë se ka lidhje shumë të fortë me klube dhe që do të rikthehej në Real Madrid, por tani ndihet rehat me planet e tij jashtë fushës, ku po ndërton një karrierë në biznes dhe në projekte që përputhen me vlerat e tij.

“Po, sigurisht, pse jo. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin, jetoj këtu…

Në të ardhmen do të shohim çfarë do të ndodhë. Jam shumë i qetë me projektet e mia. Bota e biznesit dhe ajo e futbollit kanë ngjashmëri të mëdha.

Në fakt, në moshën 23-vjeçare u bëra CEO i kompanisë sime, sepse krijova një ekip njerëzish rreth meje. Më pëlqen gjithashtu ideja për të ndryshuar botën dhe për të mbështetur kompani që për mua kanë kuptim”, ka thënë Varane.

Francezi foli edhe për momentin e tërheqjes nga futbolli, një vendim që u përshpejtua nga problemet e vazhdueshme fizike gjatë periudhës kur ai luante për klubin italian të Comos.

“Idea ishte të vazhdoja të luaja, por u dëmtova në këmbën e majtë, atë me të cilën kompensoja gjithçka, dhe ishte momenti për ta lënë. Megjithatë, unë vazhdoj të punoj me klubin.

Përpiqem t’i ndihmoj të rriten.

Ata kanë një projekt fantastik, shumë të veçantë, me një vizion të gjerë dhe inovativ. Bashkëpunoj me Akademinë, me kampet verore…

Po njoh anën tjetër të futbollit dhe po e shijoj vërtet. Përveç kësaj, kam edhe një aktivitet tjetër shumë të rëndësishëm që lidhet me fondacionet”, përfundoi Varane.

Në tërësi, Varane shprehet se do të ishte i hapur për një rikthim te Real Madridi, por aktualisht është i përqendruar në ndërtimin e një karriere me kuptim në biznes dhe projekte shoqërore.



Read it all at Bota Sot