Një lajm që ka gëzuar thellë zemrat e tifozëve të Milanit ka mbërritur këtë pasdite: Franco Baresi është kthyer në ‘Casa Milan’, duke u riintegruar gradualisht në përditshmërinë e klubit.
Legjenda kuqezi dhe nënkryetari i nderit u pa sot në selinë e Milanit, siç raporton ‘Gazzetta dello Sport’, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rikuperimin e tij.
Më shumë se tre muaj më parë, klubi kishte njoftuar se Baresi ishte operuar për heqjen e një nyje pulmonare, të zbuluar gjatë kontrolleve rutinë, një lajm që kishte tronditur të gjithë botën kuqezi. Fatmirësisht, zhvillimet e mëvonshme kanë qenë pozitive dhe procesi post-operator po ecën mbarë.
Në fillim të nëntorit, Baresi kishte përcjellë edhe një mesazh shprese në rrjetet sociale: “Viva la vita”, duke ngritur krahun lart, ashtu si dikur në fushë, dhe kishte marrë qindra mesazhe mbështetëse nga ish-shokët e ekipit dhe tifozët.
Tani, rikthimi i tij në ‘Casa Milan’, edhe pse jo ende me ritmin e plotë të punës, është një sinjal i rëndësishëm.
Rruga drejt rikuperimit total vijon, por hapat po bëhen një nga një dhe për komunitetin kuqezi, prania e Franco Baresit në shtëpinë e Milanit është ndoshta lajmi më i mirë i ditës.