Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, është vënë në qendër të një skandali serioz pasi Tribunali i Arbitrazhit të Sportit (TAS) ka hapur një hetim disiplinor ndaj tij.
Shkak është bërë dyshimi se ai ka publikuar informacion të rezervuar të Barcelonës, të lidhur me çështjen e vendeve VIP në Camp Nou, një veprim që mund t’i kushtojë deri në një vit pezullim ose madje shkarkimin nga detyra.
Sipas asaj që raporton gazeta AS, padia është paraqitur nga Miguel Ángel Galán, president i Shoqatës për Transparencë dhe Demokraci në Sport, i cili akuzon Tebas-in për shkelje të rëndë të konfidencialitetit.
Në dokumentet e siguruara nga media spanjolle, TAS shpjegon se ka hapur procedurë për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme lidhur me një deklaratë të publikuar nga LaLiga më 2 prill 2025. Në atë deklaratë ishin bërë publike të dhëna që Barcelona ia kishte dorëzuar LaLiga-s në kuadër të rregulloreve të përgatitjes së buxheteve të klubeve.
Hetimi vjen në një periudhë tensioni mes Barcelonës dhe LaLiga-s, të cilat prej muajsh kanë shkëmbyer dokumente lidhur me telenovelën e regjistrimit të Dani Olmos. Në prill, LaLiga publikoi një qëndrim ku akuzonte Barcelonën për shkelje të rregullave të Fair Play-t Financiar, duke theksuar se klubi katalanas nuk kishte regjistruar në kohë 100 milionë euro nga shitja e 475 vendeve VIP në Camp Nou.
Pesë ditë më vonë, Barcelona akuzoi drejtpërdrejt Tebas-in për shkelje të konfidencialitetit, duke pretenduar se ai nuk kishte autorizim për të publikuar ato të dhëna. Pas presionit të krijuar, LaLiga i hoqi të gjitha informacionet nga faqja zyrtare dhe nga kanalet e saj sociale.
Hetimi i TAS-it pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në javët e ardhshme, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e Javier Tebas në krye të futbollit spanjoll.