Rruga drejt Botërorit, analistët tregojnë pse Kosova ka arsye të besojë

- Bota Sot

Rruga drejt Botërorit, analistët tregojnë pse Kosova ka arsye të besojë

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, një duel që tashmë ka ngjallur reagime dhe analiza të shumta nga ekspertët e futbollit vendor.

Pas një cikli mbresëlënës kualifikues, Kosova kërkon të realizojë ëndrrën e madhe drejt Botërorit.

Përballja me një kundërshtar si Sllovakia shihet si test i madh, por jo i pakalueshëm. Analistët dhe trajnerët kosovarë vlerësojnë formën aktuale të ekipit, ndikimin e selektorit Franco Foda dhe fuqinë e grupit që ka treguar stabilitet e karakter në ndeshjet vendimtare. Ata theksojnë se momentumi psikologjik dhe performanca e fundit japin arsye të forta për optimizëm.

Trajneri Ramiz Krasniqi thekson rëndësinë e sfidës kundër Sllovakisë dhe besimin se Kosova mund ta kalojë këtë pengesë. Ai kujton se edhe më herët Kosova ka triumfuar në ndeshje që konsideroheshin pothuajse të pamundura, si fitoret ndaj Suedisë dhe Sllovenisë.

“Mos të harrojmë diçka, asnjë grup nuk është i lehtë, por mendoj që ky grup ndoshta na konvenon në kuptimin sportiv ose futbollistik për shkak se shpeshherë ndodh që skuadrat më të vështira ose më të papërshtatshme na konvenojnë në disa raste. Për atë shkak them se sidomos kjo ndeshje me Sllovakinë do të jetë shumë me rëndësi por nëse kthehemi pak më vonë që i kemi pasur disa ndeshje, sidomos me Suedinë dhe Slloveninë që ka qenë një mision pothuajse i pamundur ne e kemi kryer atë mision me dy fitore ndaj Suedisë dhe ndaj Sllovenisë, një fitore të mrekullueshme, kështu që na jep shumë mundësi dhe shumë pritje që me Sllovakinë do ta kalojmë edhe këtë pengesë. Unë mendoj që një ndeshje kur e luan është një pengesë të cilët duhet dhe dëshiron ta kalosh në mënyrë profesionale kështu që është një rast që ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum”, theksoi Krasniqi.

Ish-portieri Kushtrim Mushica vlerëson se arma më e fortë e Kosovës në këtë fazë është forca e grupit. Ai thekson se rotacionet dhe menaxhimi i mirë i përbërjes nga selektori Foda kanë krijuar një skuadër funksionale.

“Ne e kemi një momentum, kjo vjen për shkak ndoshta të tashmë një impakti që po e tregon edhe vet selektori Foda i cili ka ditur nga ky grup që të nxjerrë më të mirën dhe kur jemi te grupi me të vërtetë si grup kemi funksionuar mirë sepse ka pasur rotacione gjatë gjithë kësaj faze. Thuajse të gjithë futbollistët që kanë qenë të ftuar dhe janë përfshirë dikush më pak e dikush më shumë, mirëpo secili prej tyre ka qenë me një rendiment të mirë duke shfaqur lojë të mirë, duke i kryer detyrat me sukses edhe kur kemi pasur mungesa kyçe të kombëtares. Kjo është ndoshta arma jonë e fortë sepse deri në muajin mars mund të zhvillohet shumëçka rreth futbollit, rreth futbollistëve sikur të Kosovës ashtu edhe të Sllovakisë”, deklaroi Mushica.

Ndërsa, Kushtrim Krasniqi e vlerëson Sllovakinë si kundërshtar më të fortë se Kosova, duke u bazuar në eksperiencën dhe klubet ku luajnë futbollistët e tyre. Megjithatë, ai thekson se diferencat nuk janë të pakapërcyeshme dhe se në praninë e tifozëve kosovarë sfida merr një dimension tjetër.

“Kundërshtari natyrisht se është më i mirë se ne, mund ta them lirisht Sllovakia, por nuk është i pa kalueshëm. Bazuar në ekipet ku luajnë lojtarët e Sllovakisë kanë ekipe të mira por ekipet të mira kanë edhe lojtarët tanë, pak a shumë jemi deri diku të njëjtë. Përparësi e tyre mund të them është që vijnë nga vazo e dytë, e kanë mposhtur një Gjermani në fushën e vet 2 me 0 që duhet vlerësuar vërtetë dhe do të luajë në fushën e vet. Mirëpo në praninë e tifozëve tanë unë besoj që ne do t’ia dalim dhe do ta kalojmë këtë pengesë”, theksoi Krasniqi.

Ndeshjet e “Play-Off”-it për kualifikime në Botërorin 2026 do të luhen më 26 mars 2026 (gjysmëfinalet) dhe më 31 mars 2026 (finalet). Katër ekipe sigurojnë biletën për në Botëror. Ndeshjen gjysmëfinale Kosova do ta zhvillojë si mysafire, por nëse kalon tutje finalja do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.



Read it all at Bota Sot