Shkëndija të dielën në Gostivar përballë Arsimit të Çegranit luan ndeshjen e xhiros së 14-të në LPFMV. Para mediave foli mbrojtësi Anes Meliqi.
Ndeshja Arsimi-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Gostivar me fillim në orën 13:00.
I kthehemi kampionatit…
Anes Meliqi: “Pas një fitore shumë të rëndësishme në Kupë, Shkëndija e ka kryer me sukses punën në këtë turne dhe jemi në mesin e tetë ekipeve më të mira të Maqedonisë.
Tani i gjithë fokusi është në kampionat. Unë mendoj se kjo është një nga ndeshjet më të forta, pasi Arsimi me të vërtetë na ka bërë një problem në Tetovë dhe i gjithë fokusi nesër është ndaj Arsimit.”
Forma…
Anes Meliqi: “Skuadra është në formë të mirë, pasi edhe në Europë bëmë një rezultat të pozitiv, por edhe në kampionat e Kupë edhe pse të dyja janë histori të ndryshme. Ne duhet ti harrojmë të gjitha këto rezultate dhe duhet të fokusohemi ndaj Arsimit”.
Arsimi…
Anes Meliqi: “Kemi bërë një analizë, por unë mendoj që nëse i zbatojmë detyrat e trajnerit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Shkëndija është ashtu siç duhet, nuk do të kemi probleme”.
Mesjavën e ardhshme me Dritën në Europë…
Anes Meliqi: “Në këtë moment askush nuk mendon për ndeshjen Dritën, pasi i gjithë fokusi nesër është për duelin me Arsimin. Vetëm pasi të kalojmë këtë duel fillojmë të mendojmë për duelin me Dritën”.
Apeli për futbolldashësit…
Anes Meliqi: “Ftoj që të vinë sa më shumë tifozë, besoj që do të jetë një ndeshje e mirë, por ne do të shkojmë për fitore”.
Menaxhim eventual i forcave para Europës…
Anes Meliqi: “Shkëndija ka shumë lojtarë cilësorë dhe nuk duhet ta mendojë këtë pjesë. Nesër ne shkojmë vetëm për fitore dhe tre pikë”.