Juljan Shehu, i cili u bashkua me Kombëtaren shqiptare në mars të këtij viti, ka kthyer shpejt në një element të rëndësishëm të mesfushës kuqezi. 27-vjeçari debutoi në triumfin 3-0 ndaj Andorrës dhe që prej asaj ndeshjeje ka grumbulluar shtatë paraqitje, pa asnjë humbje me Shqipërinë në fushë: pesë fitore dhe dy barazime.
Prej më shumë se tre vitesh, mesfushori është pjesë e Widzew Lodz në kampionatin polak, ku konsiderohet një nga pikat kyçe të ekipit.
Kjo e bën atë një njohës të mirë të futbollit polak, pikërisht në momentin kur shorti i play-off-it të Botërorit 2026 ka vendosur Shqipërinë përballë Polonisë në gjysmëfinale.
Në një intervistë për “Goal.pl”, Shehu vlerësoi cilësitë e rivalëve, duke theksuar se përballja do të vendoset nga detaje të vogla. “Polonia ka lojtarë shumë të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. Këto janë ndeshjet që çdo futbollist i ëndërron. Është një sfidë e fortë për të dyja skuadrat,” tha ai.
Duke analizuar shanset e kualifikimit, lojtari kuqezi u shpreh se përballja është e hapur. “Ndeshjet në shtëpi janë avantazh, por në eliminatore gjithçka mbetet e paparashikueshme. Mendoj se raporti i forcave është 50 me 50,” nënvizoi mesfushori.
Shehu foli edhe për Robert Lewandowskin, yllin e sulmit polak. “Ajo që ai ka bërë për vendin e tij është e jashtëzakonshme. Por edhe ne kemi futbollistë me ndikim të madh, brenda dhe jashtë fushës,” theksoi ai.
Ndeshja Poloni-Shqipëri zhvillohet më 26 mars në orën 20:45 në Varshavë. Fituesi i kësaj sfide do të luajë për një biletë në Kupën e Botës 2026 kundër skuadrës që del triumfuese nga dueli Ukrainë-Suedi.