Interi gati për derbin me Milanin

- Bota Sot

Interi gati për derbin me Milanin

Atmosfera në shtëpinë zikaltër ngrohet ndërsa afrohet derbi i së dielës mbrëma, një sfidë që mund të peshojë shumë në ecurinë e sezonit. Tek Interi po marrin formë zgjedhjet e para të formacionit, por dy dilema të rëndësishme mbeten ende të hapura.

E para lidhet me qendrën e mbrojtjes, ku surpriza e mundshme ka emrin e Jan Bisek. Mbrojtësi gjerman, tashmë i testuar këtë sezon nga Kivu në rolin e mbrojtësit qendror, po fiton gjithnjë e më shumë terren dhe është bërë një alternativë reale ndaj Françesko Açerbit.

Vendimi i trajnerit do të shoqërojë vendosjen mes Akanzhit – i cili është rikthyer i fundit nga grumbullimi me kombëtaren dhe pritet të luajë derbin e tij të parë – dhe Bastonit në anët e repartit.

Dilema e dytë prek mesfushën, aty ku po zhvillohet një duel interesant mes Suçiç dhe Zielinskit për një vend përkrah Çalhanoglusë dhe Barelës. Kroati duket në avantazh, falë formës së mirë dhe ngarkesës më të lehtë të ndeshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, polaku Zielinski vjen nga dy paraqitje si titullar me Poloninë kundër Holandës dhe Maltës, por pavarësisht lodhjes së akumuluar, ai tashmë është rikuperuar dhe ka punuar plotësisht me skuadrën. Zgjedhja finale do të bëhet vetëm në prag të ndeshjes, duke marrë parasysh si gjendjen fizike ashtu edhe karakteristikat taktike të duelit.

Në krahun e djathtë, situata duket më e qartë. Dumfris vazhdon të ndjejë dhimbje në kyçin e këmbës pas goditjes së marrë në sfidën kundër Lacios dhe pothuajse me siguri do të mungojë në derbi. Për këtë arsye, Karlos Augusto pritet të marrë përsipër rolin e titullarit në krahun e djathtë, duke siguruar energji dhe balancë në lojën e skuadrës.

Problemet për Dumfris nuk mbarojnë me kaq: gjasat janë të mëdha që ai të mos mund të marrë pjesë as në sfidën e së mërkurës në Madrid, ku Interi do të përballet me Atletiko Madrid të Diego Simeones për ndeshjen e pestë të fazës së grupeve të Champions League.

Pikërisht trajneri argjentinas, duke folur për sfidën që e pret, ka rikujtuar një moment të veçantë nga derbi i vitit 1998. “Trajneri erdhi dhe më pyeti: ‘A do të të pëlqente të luaje përpara me Ronaldon kundër Milanit?’. Unë u përgjigja: ‘Sigurisht’. Dhe shënova si një sulmues”, është shprehur Simeone në një intervistë për “Prime Video”, duke sjellë një kujtim të ëmbël për tifozët zikaltër.

Në repartin e sulmit, megjithatë, nuk ka vend për diskutime. Lautaro Martinez dhe Markus Turam do të formojnë binomin e zakonshëm, një dyshe që ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm dhe që pritet të jetë armë kryesore për të depërtuar mbrojtjen e Milanit. Interi e pret derbin me besim, por edhe me vetëdijen se zgjedhjet e fundit të formacionit mund të bëjnë diferencën në një ndeshje ku detajet vendosin fatin.



Read it all at Bota Sot