Skuadra e Vushtrrisë ka mbyllur stinorin vjeshtor në vendin e parë në Ligën e Parë, duke e bërë një hap të madh drejt promovimit në Superligë.
Pas 18 ndeshjeve, ekipi ka arritur të grumbullojë 40 pikë dhe të mbajë kryesimin e tabelës.
Megjithatë, suksesi në fushë është vënë në hije nga vështirësitë financiare që po përjeton klubi.
Trajneri i skuadrës, Armend Dallku, ka konfirmuar se ndonëse ekipi ka arritur rezultate pozitive, Vushtrria po përballet me probleme të mëdha financiare, që kanë ndikuar edhe te pagat e lojtarëve.
Në një deklaratë për mediat, Dallku ka theksuar se “lojtarët nuk kanë marrë paga për tre muaj, ndërsa stafi teknik ka kaluar një periudhë më të gjatë pa u paguar”. Ai gjithashtu ka falënderuar lojtarët dhe tifozët për mbështetjen, pavarësisht sfidave të mëdha që po kalojnë.
“Falenderoj futbollistët dhe tifozët për përkushtimin e tyre. Pavarësisht vështirësive, kemi arritur të përmbushim objektivat dhe të mbajmë ekipin në vendin që i takon”, tha Dallku.
Në një situatë të tillë, Vushtrria ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë financiare për të vazhduar të mbajë konkurrueshmërinë dhe për të arritur objektivat përfundimtarë të sezonit.