Bisedimet për Ukrainën në Gjenevë, çfarë propozojnë evropianët ndryshe nga SHBA

- Bota Sot

Bisedimet për Ukrainën në Gjenevë, çfarë propozojnë evropianët ndryshe nga SHBA

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë u ulën sot në tryezën e negociatave në Gjenevë për të paraqitur kundërpropozimin e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo bisedim me Rusinë për rregullime territoriale mund të nisë vetëm pasi të ndalen plotësisht luftimet në vijën aktuale të kontaktit, sipas burimeve të njohura me procesin.

Sipas Bloomberg, përgjigjja ndaj planit amerikan me 28 pika përfshin kërkesën e Kievit për një garanci të fuqishme sigurie nga SHBA, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, si dhe përdorimin e aseteve ruse të “ngrira” për rindërtimin e Ukrainës dhe mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta. Ukraina dhe vendet evropiane e hedhin plotësisht poshtë kërkesën e Moskës për dorëzimin e territoreve që nuk janë pushtuar.

Zyrtarët sqarojnë se Shtetet e Bashkuara do të kompensoheshin për garancitë e forta që do të jepnin, ndërsa asetet ruse do të mbeteshin të bllokuara deri në momentin kur Moska të pranonte të mbulonte koston e shkatërrimeve të shkaktuara. Për më tepër, sanksionet e tjera do të hiqeshin gradualisht dhe Rusia do të rikthehej hap pas hapi në ekonominë ndërkombëtare, nëse do të zbatonte me përpikëri marrëveshjen.

Kujtojmë se sipas kushteve të propozimit fillestar amerikan me 28 pika, Ukraina do të duhej të tërhiqte forcat nga zona të Donbasit që Rusia nuk i kontrollon plotësisht, duke krijuar një zonë neutrale të demilitarizuar që do të njihej ndërkombëtarisht si ruse.

Njëkohësisht, Moska do të siguronte de facto njohje të sovranitetit të saj mbi Krimenë, Luhanskun dhe Donetskun, ndërsa pjesa më e madhe e vijës aktuale të frontit, përfshirë rajone të Khersonit dhe Zaporizhias, do të “ngrirte” në gjendjen aktuale.

Plani amerikan, i hartuar sipas burimeve me pjesëmarrje ruse, parashikon gjithashtu kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600.000 trupa. Udhëheqësit evropianë, së bashku me Kanadanë dhe Japoninë, e kanë kundërshtuar idenë e reduktimit të kufijve të Ukrainës apo zvogëlimit të forcave të saj të armatosura, përmes një deklarate të përbashkët në kuadër të samitit të G20 në Afrikën e Jugut.

Burimet shtojnë se një kufi më i lartë i trupave mund të jetë objekt negociatash, me Kievin që ka theksuar se i nevojiten të paktën 800.000 ushtarë në kohë paqeje.

Shumica e dispozitave të tjera të propozuara nga SHBA, si kthimi i të gjithë pengjeve, përfshirë fëmijët, konsiderohen të pranueshme nga pala ukrainase. Burimet nënvizojnë se dokumenti final duhet të përfshijë gjithashtu program për ribashkimin familjar dhe masa mbështetëse për viktimat e luftës.

Çdo marrëveshje përfundimtare do të mbikëqyrej nga Shtetet e Bashkuara dhe do të garantohej nga një këshill special paqeruajtës nën drejtimin e Donald Trump.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar që të mos zvogëlohet numri i anëtarëve të forcave të armatosura ukrainase, të mos ketë ndryshime të kufijve të Ukrainës dhe që Komisioni Evropian të mbajë të drejtën për menaxhimin e fondeve të rindërtimit, sipas deklaratës së publikuar nga zyra e saj.

“E para, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. E dyta, nuk mund të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura. E treta, roli ‘qendror’ i BE-së në ‘garantimin e paqes në Ukrainë’ duhet të reflektohet në dokument, së bashku me rolin e saj në rindërtimin e vendit”, thuhet në deklaratë. Komisioni Evropian ka propozuar më herët që asetet ruse të shpronësohen për të financuar “rikthimin e Ukrainës”.

Gjithashtu, në një reagim të ri, Von der Leyen kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia. “Nuk do të qetësohemi derisa të gjithë këta fëmijë të ribashkohen me familjet e tyre, në shtëpitë e tyre”, shkruan ajo.



Read it all at Bota Sot