Zëvendëstrajneri i Vllaznisë pas barazimit: Duhet një marsh më shumë nëse kërkojmë titullin

- Bota Sot

Zëvendëstrajneri i Vllaznisë pas barazimit: Duhet një marsh më shumë nëse kërkojmë titullin

Ergi Borshi, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, theksoi se nuk duhej krijuar alarm për barazimin e skuadrës kuqeblu përballë Partizanit në transfertë në një ndeshje të hapur ku shkodranët vuajtën jo pak.

“Mendoj se nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’u shqetësuar.

Them që ekipi nuk ishte në nivelet që të gjithë janë mësuar t’i shohim.

Bëmë edhe pak rotacion, i kemi lojtarët të përballojmë edhe rotacionin në kampionat.

Deri diku mund të them që në pjesën e parë kishim lojën nën kontroll, por nuk ishim të qartë dhe nuk i bënim dëm Partizanit.

Thjesht kishim lojën në kontroll pa krijuar rrezik e raste, ndodhi një gol që ishte mungesë përqendrimi e jona.

Në pjesën e dytë hymë me këmbë e fytyrë të re në fushë. Në pjesën e dytë u krijua lojë tranzicioni si nga ne e Partizani. Normalisht Partizani nuk është ekip për t’u nënvlerësuar se nuk e meriton të jetë aty ku është.

Është kundërshtar i fortë. Rezultati është i drejtë për të dy ekipet, pavarësisht se nuk na lë të kënaqur se hyjmë për fitore në çdo ndeshje.

Mund të them që në momentin e golit që u shënua, kaluam në 4-2-3-1, ku Pusi ishte mbrojtës i djathtë e mori më shumë përsipër, bëri një ndeshje të mirë sot, me gjëra të vogla por do rregullohet se është djalë i ri. Por edhe nga dëshira për të ndihmuar ekipin, mund të ketë marrë përsipër më shumë se duhet. Nuk ka gjë të keqe se si Balaj, që është më i vjetri e lideri, edhe më të rinjtë kanë të drejtën për të kërkuar rezultatin, kanë të drejtën edhe të humbin topin se përgjegjësia i ndihmon të rriten.

Nuk kishim ndërrim krahësh të shpejtë dhe dalja nga pozicioni i Murataj dhe kthimi në krah linte Balajn pak vetëm dhe nuk kishte kush e mbështeste. Murataj u mundua, edhe pse ka pasur një dëmtim dhe nuk e ka kaluar ende 100%, u mundua të bënte më të mirën në fushë. Partizani po mbrohej poshtë, është e vështirë t’i çash, duhen këto rotacione për të shkuar drejt portës.

Mendoj se Partizani nuk tentoi të luante topin nga poshtë, tentoi topin e parë e të dytë. Në pjesën e parë kemi humbur shumë duele dhe ai është gabimi që duhet rregulluar. Mendoj që edhe terreni ishte pak i rrëshqitshëm dhe nuk lejonte të krijonim lojën që u kërkojmë djemve, kjo mendoj se krijoi këtë lojën e dueleve.

Më pak pikë jashtë?

Deri diku është e vërtetë, por kemi marrë pikë me Egnatian që na barazoi në fund, mund të menaxhohej më mirë ndeshja.

Morëm me Partizanin, që mund t’i krijojë probleme të gjithë ekipeve. Duhet një marsh më shumë nëse duam të fitojmë titullin që kërkojmë, atë që kërkojmë prej vitesh.

Duhet një marsh më shumë nga të gjithë, lojtarët e stafi, duhet diçka më shumë”, tha Borshi.



Read it all at Bota Sot