BE: Serbia, ose me Rusinë, ose me BE-në

- Bota Sot

BE: Serbia, ose me Rusinë, ose me BE-në

Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë, pasi siç kanë thënë, nuk mund të ulet në dy karrige, duke iu referuar fondeve që merr nga Rusia e në anën tjetër kërkon edhe fonde nga Bashkimi Evropian. Nga Bundestagu gjerman i kanë thënë Serbisë se ajo duhet të jetë e qartë nëse është përcaktuar nga autokracia ruse kineze apo nga liria.

Serbia nuk mund të vazhdojë të “ulet më në dy karrige”. Ky është tashmë një mesazh i prerë dhe i përditshëm nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe disa shteteve anëtare. Brukseli e bën të qartë: një vend kandidat nuk mund të kërkojë mbështetje financiare nga BE-ja, ndërsa në politikën e jashtme dhe energjetike të mbështetet te Rusia apo aktorë të tjerë.

Gjatë vizitës në Beograd, deputetët gjermanë nga radhët e të Gjelbërve theksuan se një shtet që synon anëtarësimin nuk mund të dërgojë sinjale të dyfishta.

VOX: “Serbia duhet të përcaktohet: a është në anën e lirisë apo të autokracive ruse e kineze. Paqartësia po dëmton qytetarët”, thotë Anton Hofreiter, anëtar i Bundestagut.

Pushteti në Beograd përgjigjet me argumentin se harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së ka arritur “65 për qind”, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, thotë se Serbia duhet të shfrytëzojë momentin pozitiv në procesin e zgjerimit.

“Shqipëria tregoi se procesi mund të përshpejtohet. Le të ecim përpara si partnerë dhe, kur të bëhemi anëtare të BE-së do të harmonizohemi plotësisht ne aspektin e politikes se jashtme”, thotë Brnabiq.

Por në Bruksel theksojnë se premtimet nuk mjaftojnë. Raporti i progresit kritikon mos-harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe afrimin e sforcuar me Moskën.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e përmblodhi mesazhet: “E dua Serbinë në BE, por si një Serbi demokratike. Nuk mund të kërkoni para nga BE-ja dhe njëkohësisht të mbështeteni te gazi rus”.

Zyrtarët evropianë nënvizojnë edhe retorikën anti-evropiane të pushtetit dhe media proqeveritare në Beograd, e cila dëmton perceptimin publik për BE-në. Mesazhi që vjen nga Evropa është gjithnjë më i qartë: pa një orientim të vendosur strategjik, nuk mund të ketë përparim real në procesin e anëtarësimit të Serbisë.



Read it all at Bota Sot