Sonderjyske bëri një befasi të madhe në javën e 16-të të kampionatit danez, duke e mposhtur ish-kryesuesin Midtjylland me rezultat 2:1. Heroi i kësaj fitoreje ishte futbollisti shqiptar i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Lirim Qamili.
Sulmuesi shqiptar me prejardhje nga fshati Nerasht i Tetovës, por i lindur në Danimarkë, Lirim Qamili, shënoi golin e fitores për ekipin e tij Sonderjyske në minutën e 100-të nga penalltia, duke i shkaktuar kampionit aktual humbjen e dytë këtë sezon.
Edhe pse momenti ishte vendimtar dhe ndodhi thellë në kohën shtesë, Qamili tregoi qetësi të jashtëzakonshme dhe me një goditje të fuqishme në kënd e çoi topin në rrjetë.
Ky ishte goli i tij i tretë sezonal në Superligën daneze dhe i pari pas 21 shtatorit, kur kishte shënuar kundër Vejle në barazimin 2:2.
Qamili edhe pse në lojë u fut si zëvendësues në minutën e 64-t, ai në fund u vlerësua me notën më të lartë 8.6.
Në bankën rezerve mbeti shkupjani Sefer Emini, i cili shkaku i një dëmtimi ka kohë që ishte jashtë fushe dhe ende si duket nuk e ka arritur formën e mirë.
Sonderjyske me këtë fitore është ngjitur në pozitën e 5-t, me 25 pikë, ndërsa Midtjylland e dyta me 32 pikë.