Eze pas het-trik-ut ndaj Tottenhamit: Një ditë e paharrueshme

- Bota Sot

Eze pas het-trik-ut ndaj Tottenhamit: Një ditë e paharrueshme

Sulmuesi i Arsenalit, Ebere Eze, ishte protagonisti kryesor i derbit londinez, duke realizuar het-trikun e parë në karrierë në fitoren bindëse 4–1 ndaj Tottenhamit.

Një paraqitje e veçantë për 26-vjeçarin, i cili vetëm pak muaj më parë ishte shumë afër të transferohej te “Spurs”, para se Arsenali të ndërhynte në minutat e fundit të afatit kalimtar të verës që lamë prapa.

I emocionuar pas ndeshjes, Eze tha se dita ishte ndër më të veçantat e karrierës dhe jetës së tij.

“Është diçka e çmendur. Ditë speciale për mua dhe familjen time. Nuk besoj se mund ta kisha ëndërruar këtë. Falënderoj Zotin – është një ditë e paharrueshme”, tha ai.

Eze vuri në pah përgatitjen taktike të skuadrës dhe punën e stafit teknik të Arsenalit:

“Ne ishim gati për çdo skemë që ata mund të përdornin, falë punës së kujdesshme të stafit tonë. Merita të mëdha për ta dhe për shokët e skuadrës – kemi talent të jashtëzakonshëm dhe jemi rrezik nga çdo pozicion”, theksoi Eze.

Sulmuesi shtoi se pavarësisht het-trikut, ai mund të kishte shënuar edhe më shumë.

“Duhej t’i shënoja katër, të them të drejtën. Gjithmonë përpiqem të finalizoj, të shfrytëzoj çdo mundësi. Është e rëndësishme të jesh i pamëshirshëm”, pohoi ai.

“Të tre ishin të mirë, por ndoshta i dyti është i preferuari im. Kam punuar shumë për t’u futur në ato pozita, kështu që më vjen mirë që po jap rezultat”, përfundoi Eze.

Fitorja e Arsenalit jo vetëm që forcon garën për kreun, por edhe shënon një kulm personal për Eze, i cili po konfirmon veten si një nga futbollistët më vendimtarë në Premier League këtë sezon.



Read it all at Bota Sot