Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky deklaroi sot se Kievi do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët e tij për planin amerikan për përfundimin e luftës, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do ta forcojë dhe jo ta dobësojë Ukrainën.
Duke folur në samitin Crimean Platform, që po zhvillohet në Suedi, Zelensky vlerësoi se Rusia duhet të paguajë për luftën në Ukrainë dhe shtoi se vendimi për përdorimin e aseteve të ngrira ruse është me rëndësi kritike.
Nga ana e tij, kryetari i parlamentit ukrainas theksoi se vijat e kuqe të Kievit në negociatat për përfundimin e luftës mbeten të pandryshuara dhe lidhen me njohjen e territoreve të pushtuara, kufizimin e numrit të forcave të armatosura ukrainase dhe kufizimet për aleancat e ardhshme që Ukraina mund të lidhë.
Ukraina i ka mbrojtur këto pozicione prej kohësh, edhe pse ato bien ndesh me planin amerikan të paraqitur në Kiev javën e kaluar.
Duke folur gjithashtu në Crimean Platform, Ruslan Stefanchuk theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO duhet të jetë pjesë e garancive të sigurisë që vendi do të marrë dhe duhet të përfshihet në çdo plan paqeje.
Ndërkohë, presidenti ukrainas zhvilloi një bisedë telefonike të hënën në mëngjes me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, gjatë së cilës diskutuan rezultatet e negociatave në Gjenevë lidhur me “planin e paqes”.
“Folëm me presidentin Volodimir Zelensky sot në mëngjes. Përshëndes progresin e bërë gjatë takimeve të djeshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Gjenevë. Bisedimet përbëjnë një hap përpara, por çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u zgjidhur,” theksoi Stubb.
Sipas tij, çdo vendim që bie në kompetencën e BE-së apo NATO-s “do të diskutohet dhe miratohet veçmas nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s”.