Tetë vjedhje për dy orë: Zvicra e tronditur nga keqbërësit marokenë dhe algjerianë

- Bota Sot

Tetë vjedhje për dy orë: Zvicra e tronditur nga keqbërësit marokenë dhe algjerianë

Në Zvicër po zhvillohet një debat mbi një femonen, i cili ka vënë në presion të gjithë sistemin e drejtësisë.

Fjala është për delikuentët nga Afrika Veriore, e sidomos nga Maroko e Algjeria, të cilët ngarendin nga qyteti në qytet, kryejnë vjedhje të shumta brenda pak orësh dhe zhduken para se të dënohen.

Gazeta “Sonntagszeitung” ka botuar në fundjavë një tekst të gjatë, ku mes tjeresh tregohet rasti i shtetasit algjerian me emrin Riad.

Në fillim të këtij viti Riadi, brenda dy orësh, arriti të kryejë tetë vjedhje dhe tentativa për vjedhje në disa vendbanime në Zvicër: i rrëmbeu një gruaje telefonin nga çanta, u përpoq të vjedhë një person në autobus, grabiti produkte nga një dyqan, bashkë me dy shokë grabiti një telefon nga një rimorkio biçiklete, i vodhi një pasagjeri çantën me sende me vlerë, tentoi sërish të plaçkit çantën e një kalimtareje, hapi një makinë për të marrë kuletën dhe theu xhamin e një makine tjetër.

Këto delikte ndodhën njëra pas tjetrës, në seri, derisa, më në fund, policia e arrestoi Riadin.

Këta delikuentë, sipas gazetës zvicerane, janë kryesisht të rinj nga Algjeria, Maroku dhe Tunizia.

Numri i tyre nuk është shumë i madh, por ata janë vështirë për t’u kontrolluar.

Shumë prej tyre përdorin mbi 10 identitete të rreme dhe lëvizin vazhdimisht nga një kanton në tjetrin.

Për shkak se shumica e veprave janë të nivelit të ulët penal, policia mund t’i mbajë delikuentët vetëm 48 orë në burg, dhe sapo lirohen, ata zhduken.

Autoritetet kanë reaguar duke krijuar një task-forcë kombëtare, një regjistër të posaçëm me emrat e kriminelëve intensivë dhe me një përpjekje për gjykime brenda 48 orësh.

Rasti i Riadit tregon se sfida është shumë e madhe. Edhe pasi u arrestua, ai vazhdoi të vjedhë edhe në stacionin e policisë duke ia marrë telefonin një policeje.

Hetuesit përballen me sjellje agresive, mungesë bashkëpunimi, probleme me substancat apo medikamentet, mungesë përkthyesish dhe verifikimin e identitetit të paqartë. Shpesh, të njëjtit persona rezultojnë të kenë kryer vepra edhe në shtete të tjera europiane ose në vendet e origjinës.

Sistemi i përshpejtuar i ndëshkimit synon një objektiv afatgjatë: krijimin e një dënimi të parë të shpejtë, i cili në rast përsëritjeje lejon caktimin e një dënimi me burg të ekzekutueshëm menjëherë. 



Read it all at Bota Sot