Struga pa problem fiton Rabotniçkin në Shkup

- Bota Sot

Struga pa problem fiton Rabotniçkin në Shkup

Struga Trim Lum ka vazhduar serinë e fitoreve, duke triumfuar në kryeqytet, pasi ka shënuar fitore ndaj Rabotniçkit dhe ka vazhduar garën për titull, si ndjekëse e vetme e Vardarit, njofton Telegrafi.

Skuadra e Struga Trim Lum e arsyetoi plotësisht epitetin e favoritit dhe u rikthye me tre pikë nga udhëtimi në Shkup, pasi mposhti bindshëm Rabotniçkin me rezultat 1:3.

Në debutimin e trajnerit të ri Tupajiq, Rabotniçki e nisi ndeshjen me pasiguri. Struga ushtroi presion të fort që nga minutat e para dhe kjo solli golin e hershëm. Pas një aksioni të rrezikshëm, topi mbeti te Stefan Jeftoski në hyrje të zonës, i cili me një goditje të fortë në minutën e 11-të mposhti portierin Vasilevin për rezultat 0:1. Dominimi i Strugës vazhdoi edhe më tej, duke sjellë golin e dytë. Pas një kombinimi të bukur, Kristijan Maleski u gjend i vetëm përballë portierit, dhe me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm rriti epërsinë në 0:2, duke e futur skuadrën vendase në vështirësi të mëdha.

Dy golat në disavantazh duket se zgjuan Rabotniçkin, që filloi të marrë iniciativën dhe të kalojë në gjysmën e fushës së kundërshtarit. Florent Kadriu kishte mundësinë e artë të ngushtonte rezultatin, por portieri italian i Strugës, Marco Angeletti reagoi në kohë dhe priti gjuajtjen e fortë.

Pjesa e dytë nisi me emocione dhe ndryshim rezultati. Në minutën e 54-t, një nga pikat më të mira të Rabotniçkit këtë sezon, Dimitar Trajkov, u gjend në vendin e duhur dhe me një goditje me kokë e çoi topin në rrjetë për 1:2, me asistim të Kadriut.

Megjithatë, çdo dilemë u shua në minutën e 70-të, kur pas shqyrtimit me VAR u akordua penallti për Strugën. Shabani u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren me 1:3. Java e 14-të e Ligës së Parë mbyllet nesër me duelin e shtyrë Shkupi – Pelisteri, ndeshje që luhet nga ora 13:00 në Strugë. 



Read it all at Bota Sot