Mesfushori i Evertonit, Idrissa Gana Gueye, ka reaguar pas incidentit të pazakontë në ndeshjen kundër Manchester United, ku ai u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi shokun e tij të skuadrës, Michael Keane. Përmes një mesazhi publik, ai kërkoi falje të drejtpërdrejtë Keane-it, duke theksuar se mban përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi dhe se veprimi i tij nuk përputhet me karakterin dhe vlerat që ai përfaqëson.
Ai u kërkoi falje edhe bashkëlojtarëve, stafit, tifozëve dhe klubit, duke pranuar se emocionet mund të shpërthejnë në momente tensioni, por se kjo nuk mund të jetë kurrë justifikim për një reagim të tillë. Gueye siguroi se situata nuk do të përsëritet dhe se ai e sheh këtë episod si një mësim të rëndësishëm.
“Dua të kërkoj falje së pari te shoku im i skuadrës, Michael Keane. Marr plotësisht përgjegjësinë për reagimin tim. U kërkoj falje edhe bashkëlojtarëve të mi, stafit, tifozëve dhe klubit. Ajo që ndodhi nuk pasqyron se kush jam unë apo vlerat për të cilat qëndroj. Emocionet mund të jenë të forta, por asgjë nuk e justifikon një sjellje të tillë. Do të sigurohem që të mos ndodhë më kurrë.”, ka shkruar ai në Instagram.
Në këtë mënyrë, ai kërkon të mbyllë një ngjarje që shkaktoi polemika të shumta dhe që u bë një nga momentet më të pazakonta të këtij sezoni në Premier League.