Sipas të përditshmes spanjolle ‘Marca’, Real Madridi gëzon ende besim të plotë te trajneri Xabi Alonso, edhe pse raportet për një marrëdhënie të tensionuar me një pjesë të skuadrës po shtohen dita-ditës.
Pavarësisht se madrilenët nuk kanë arritur asnjë fitore në tri ndeshjet e fundit, drejtuesit e klubit janë të kënaqur me rezultatet e përgjithshme dhe me drejtimin që ekipi po merr nën filozofinë e Alonsos.
Klubi gjithashtu thekson se trajneri ka të gjithë autoritetin për të marrë vendime taktike të rëndësishme, siç ishte vendosja e Vinicius Junior në stol kundër Elche-s.
Te ‘Los Blancos’ besojnë se zgjedhja për ta emëruar Alonson si pasues të Carlo Ancelotti-t tashmë po jep rezultat, duke marrë parasysh ecurinë mbresëlënëse: 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm 2 humbje në 17 ndeshje.
Mbështetja e klubit synon të qetësojë situatën dhe të shmangë çdo destabilizim të mundshëm në një moment ku Madridi kërkon të ruajë vazhdimësinë dhe ambiciet e tij në të gjitha frontet.