FIFA e dënon tre herë brenda 5 ditësh

- Bota Sot

FIFA e dënon tre herë brenda 5 ditësh

Klubi i Vllaznisë duket se ka një problem shumë serioz sa i përket detyrimeve të prapambetura dhe sipas asaj që shihet në gjyqet që ka humbur në FIFA, ka një listë të gjatë personash për të paguar.

Kryesuesit e Superiores, tashmë kanë merkaton e bllokuar për tre dritare dhe jo vetëm një herë, por regjistrojnë tre të tilla.

Sipas vendimit të FIFA-s, fillimisht është dhënë një bllokim me tre dritare për rastin e një lojtari me të cilin Vllaznia ka humbur gjyqin te ndërkombëtarët dhe nuk ka paguar në kohë detyrimin ndaj tij. Ai dënim i parë ka qenë më datë 19 nëntor.

Por tashmë FIFA ka publikuar edhe dy dënime të tjera, që mbajnë datën 24 nëntor, ku secili rast përfaqëson një tjetër futbollist që shkodranët nuk kanë paguar, kanë humbur gjyqin e përsëri nuk kanë respektuar afatin për pagesën që i ka caktuar FIFA.

Kësisoj, ato rezultojnë të dënuar trefish nga FIFA, me secilin dënim që nënkupton nga tre dritare të merkatos të bllokuara dhe pa shlyer këto detyrime, nuk do të jetë në gjendje të kryejë transferime. Duhet kuptuar se kjo ka edhe një kosto shtesë mbi klubin. Pasi për çdo vonesë, paguhet një kamatë ndaj personit të dëmtuar, ashtu si edhe një gjobë përkatëse në FIFA bashkë me shpenzimet e gjyqit.

Dhe kjo është vetëm pjesa e detyrimeve ndaj lojtarëve që kanë ardhur me transferim ndërkombëtar dhe i drejtohen FIFA-s, jo FSHF-së për telashet e  tyre.

Situata mund të jetë shumë më e rënduar nëse të njëjtat mospagesa dhe vonesa të reflektohen edhe me futbollistët shqiptarë. Kjo do të bënte praktikisht katastrofike situatën në Shkodër, pikërisht në vitin kur të gjithë shpresonin që ekipi të ecte i qetë drejt titullit kampion që mungon prej 25 vitesh.



Read it all at Bota Sot