Atletiko është testi i parë i vërtetë

- Bota Sot

Atletiko është testi i parë i vërtetë

Interi i Kristian Kivut udhëton drejt Madridit me synimin për të lënë pas zhgënjimin e derbit dhe për të rigjetur qetësinë në Champions League.

Pas humbjes së pësuar ndaj Milanit, skuadra zikaltër kërkon reagimin e menjëhershëm në një sfidë shumë më të vështirë kundër Atletiko Madridit, një prej kundërshtarëve më të fortë të grupit. Në Evropë, Interi ka ecuri perfekte: maksimum pikësh dhe vetëm një gol të pësuar deri tani.

Megjithëse kundërshtarët e deritanishëm nuk kanë qenë të nivelit më të lartë, përballja me Atletiko Madridin shihet si testi i parë i vërtetë për të kuptuar potencialin real të zikaltërve në këtë sezon evropian.

Problemet në krahun e djathtë mbeten të hapura.

Dëmtimi i Dumfris dhe paraqitja e vakët e Luis Henrike e detyrojnë trajnerin të përdorë sërish Karlos Auguston në një rol që nuk është natyral për të. Edhe pse braziliani ka treguar disiplinë dhe rendiment të mirë, mungesa e tij në fazën ofensive është e dukshme.

Në portë, Jann Zomer vijon të jetë në qendër të kritikave pas golit të pësuar në derbi. Por Kivu e ka mbrojtur portierin zviceran dhe pritet ta konfirmojë edhe kundër Atletiko Madridit.

Debatet rreth mbrojtjes së portës vazhdojnë, ndërsa Martinez mund të ketë shansin e tij vetëm në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Venecias. Ndryshime priten edhe në mbrojtje dhe mesfushë. Bisek është favorit për të zëvendësuar Açerbin, ndërsa Zielinski shpreson të rikthehet titullar. Barela mbetet i padiskutueshëm, ndërsa Suçiç vjen pas një pjese të dytë bindëse në derbi.

Në sulm, dyshja Lautaro-Turam duket e konfirmuar. Atmosfera e Champions-it mund të shërbejë si shtysë për ringritjen e skuadrës. Interi kërkon jo vetëm pikë të rëndësishme për kualifikim, por edhe një sinjal të fortë se zhgënjimi i derbit është lënë pas dhe se ekipi është i gatshëm të përballet me çdo kundërshtar në skenën evropiane.

Në Champions Ligë deri tani zikaltrit numërojnë 12 pikë të plota, pas 4 fitoreve në 4 raundet e para të kësaj faze.

Megjithatë skuadra milaneze ka patur një kalendar relativisht të lehtë, ndaj prova e vërtetë për të matur forcën edhe në Evropë do të nis pikërish nga sot. Pas Atletiko Madrid, Interi do të sfidojë edhe Liverpulin e Arsenalin në shtëpi si dhe ndaj Dortmund në transfertë.



Read it all at Bota Sot