Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) po shqyrton seriozisht mundësinë që Carlo Ancelotti të vazhdojë detyrën e trajnerit të Brazilit edhe pas Kupës së Botës 2026, turne për të cilin “Seleção” e ka siguruar tashmë kualifikimin.
Samir Xaud, presidenti i CBF-së, deklaroi të mërkurën gjatë eventit Summit CBF Academy se është optimist për një marrëveshje të re me trajnerin italian.
Ai theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë pozitiv dhe se ekziston vullnet nga të dyja palët për të ndërtuar një projekt afatgjatë.
“Ende nuk jemi ulur për të analizuar të gjitha mundësitë. E shoh këtë bisedë me optimizëm. Ai vetë e ka përmendur se gjithçka varet nga të dyja palët. Unë besoj gjithmonë te ndërtimi i një projekti afatgjatë, dhe kemi çdo arsye që puna të ecë mirë”, u shpreh Samir Xaud.
Kontrata aktuale e Ancelotti-t skadon pas Kupës së Botës 2026, por CBF ka shprehur tashmë, në mënyrë joformale, dëshirën që italiani të qëndrojë në krye të kombëtares deri në Botërorin 2030.
Sipas të dhënave të ESPN, vendimi për të nisur procedurat e rinovimit është marrë edhe përpara ndeshjeve ndërkombëtare të muajit tetor. Synimi i CBF-së është të përshpejtojë negociatat në muajt e ardhshëm, idealisht pas përfundimit të vitit kalendarik.
Nën drejtimin e Ancelottit, Brazili ka zhvilluar një vit 2025 pozitiv në miqësore, me 4 ndeshje të luajtura, 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, duke shënuar 10 gola dhe pësuar vetëm 4. Performancat dhe atmosfera e krijuar rreth skuadrës kanë forcuar bindjen e CBF-së se tekniku italian është njeriu i duhur për një projekt më të gjërë deri në vitin 2030.