Roma sheh drej Europës

- Bota Sot

Roma sheh drej Europës

Roma hyn në një prej javëve më delikate të sezonit me lajme të përziera për trajnerin Xhan Piero Gasperini.

Në konferencën e zakonshme para ndeshjes së Europa League ndaj Midtjyland, tekniku verdhekuq ka konfirmuar rikthimin e mundshëm të dy prej yjeve të skuadrës, por njëkohësisht ka pranuar se dy lojtarë të rëndësishëm do të mungojnë së shpejti për shkak të Kupës së Afrikës. Gasperini është treguar optimist për gjendjen e Dibalës dhe Beili-t, të cilët janë pranë rikthimit në formë të plotë.

“E rëndësishmja është që të jenë shëruar. Dje bënë stërvitjen e parë me grupin dhe sot do të kryejnë të dytën. Nëse gjithçka shkon si duhet, do t’i kemi në dispozicion,” u shpreh trajneri.

Ai theksoi se minutazhi nuk është prioritet, por gjendja e tyre fizike pas dëmtimit. Ndërkohë, situata nuk është aq pozitive për Ndika dhe El Aynaoui, të cilët do të largohen për grumbullimin me kombëtaret e tyre rreth një javë para nisjes së Kupës së Afrikës.

“Ndoshta edhe kundër Komos nuk do të jenë të gatshëm. Më vjen keq t’i humbas në këtë moment, por kemi një grup të gjerë dhe do të gjejmë zgjidhje,” tha Gasperini, i cili parashikon mungesa të gjata, meqë Maroku dhe Bregu i Fildishtë pritet të shkojnë larg në kompeticion.

Në lidhje me ndeshjen e radhës, trajneri është i qartë se situata në grup është bërë më e vështirë pas humbjeve në shtëpi.

“E kemi komplikuar vetë kualifikimin. Duhet të reagojmë tani, pa pritur ndeshjet e fundit,” theksoi ai.

Gasperini shtoi se sfida ndaj Midtjyland lejon ekipin të mos mendojë për përballjen me Napolin në kampionat, duke e vendosur Europën në plan të parë.

Trajneri bëri edhe një analizë të kundërshtarit danez, duke e vlerësuar si një skuadër në rritje, me shumë të rinj interesantë dhe me fizikalitet të kombinuar me teknikë.

“Vendit i parë në grup është i merituar,” u shpreh ai, duke nënvizuar progresin e futbollit skandinav, që sipas tij nuk ka më diferencat e dikurshme me vendet e mëdha evropiane.



Read it all at Bota Sot