Liverpooli merr vendimin për trajnerin!?

- Bota Sot

Liverpooli merr vendimin për trajnerin!?

Liverpooli po kalon një formë të tmerrshme në këtë sezon, teksa ka regjistruar ndaj PSV Eindhoven humbjen e 9-të në 12 ndeshjet e fundit, një humbje në shtëpi në Ligën e Kampioneve e cila për tifozët ka qenë e papranueshme.

Sigurisht, ai i cili e pëson në këto raste është gjithmonë trajneri dhe zgjedhjet e Arne Slot janë vënë shumë në diskutim, pasi holandezi nuk dukej në gjendje që të zgjonte skuadrën e tij nga kjo përgjumje e përgjithshme.

Megjithatë, mediat britanike kanë mësuar se klubi e ka mbështetur plotësisht trajnerin, edhe pse kërkohet largimi i tij dhe kanë dalë në skenë emra të ndryshëm.

Sipas “Daily Mail”, bordi drejtues i ka dhënë atij mbështetje të plotë, duke besuar se me kohën e duhur në dispozicion, edhe blerjet e reja të cilat deri tani kanë rezultuar dështim, do të shfaqen në lartësinë e duhur dhe ndryshojnë plotësisht fatin e këtij sezoni.

Pritet që skuadra të bëjë një ditë pushim të premten, në mënyrë që të rikuperojë forcat për t’u kthyer edhe një herë në formë për ndeshjen e të dielës kundër Uest Hemit në Londër.

Padyshim që aty synohet një pikë kthese, përndryshe, edhe durimi i drejtuesve të Liverpulit me Slot do të arrinte limitet.



Read it all at Bota Sot