Pozitat e trajnerit të Liverpool-it, Arne Slot, janë bërë tepër të brishta pas formës negative të skuadrës, e cila ka pësuar 9 humbje në 12 ndeshjet e fundit.
Dy disfatat radhazi në “Anfield”, ndaj Nottingham Forest në Premier League dhe PSV në Champions League, e kanë vënë teknikun holandez nën presion maksimal.
Sipas mediave angleze, drejtuesit i kanë dhënë Slot vetëm një javë afat, duke e bërë ndeshjen e së dielës ndaj West Ham vendimtare për të ardhmen e tij në pankinën e “The Reds”.
Portieri Alisson Becker, i cili mungoi në sfidën e Champions League, pritet të rikthehet titullar kundër West Ham.
Braziliani u hodh në fushë fundjavën e kaluar pas një mungese prej gati dy muajsh për shkak të një dëmtimi, dhe prania e tij konsiderohet thelbësore në një moment delikat për ekipin.
Sulmuesi Hugo Ekitike mbetet në dyshim, pasi u largua i dëmtuar në humbjen ndaj PSV. Stafi mjekësor po vlerëson gjendjen e tij dhe aktivizimi të dielën mbetet i pasigurt.
Ndërkohë, trajneri Slot ka konfirmuar se Florian Wirtz mund t’i rikthehet stërvitjes të shtunën, pas dy ndeshjesh mungesë për shkak të një problemi fizik. Aktivizimi i mesfushorit do të ishte një shtysë e rëndësishme për “The Reds” në fazën e fundit të përgatitjes për duelin vendimtar.