Milani sfidon Lazion të shtunën

- Bota Sot

Milani sfidon Lazion të shtunën

Pas gati dy dekadash në krye të projektit sportiv të Lazios, Igli Tare do të përjetojë të shtunën një ndeshje të veçantë: për herë të parë do të jetë përballë ish-klubit të tij. Milan-i i drejtuar nga shqiptari në rolin e drejtorit sportiv pret në “San Siro” skuadrën ku ai shkroi historinë nga 2005 deri në 2023, fillimisht si lojtar dhe më pas si drejtues.

Tare është vlerësuar gjerësisht në Itali për aftësinë e tij për të gjetur talente dhe për të ndërtuar skuadra konkurruese me buxhet të kufizuar. Që nga marrja e postit të drejtorit sportiv në vitin 2008, ai identifikoi dhe solli te Lazio emra që më pas u bënë yje të skuadrës: Hernanes, Klose, Candreva, Parolo, Leiva, Correa.

Por më të suksesshmit mbeten Ciro Immobile, Milinkovic-Savic dhe Luis Alberto,tre shtylla që ndryshuan identitetin e klubit.

Edhe pse ai u largua në vitin 2023, Lazio vazhdon të mbështetet te lojtarët që Tare i besoi dhe i solli në kryeqytet. Njëri prej tyre është Mario Gila, për të cilin drejtori shqiptar këmbënguli edhe në periudha kur mbrojtësi spanjoll nuk gjente hapësira. Pas 18 muajsh pritje, Gila u bë një element kyç i formacionit.

Po ashtu, Danilo Cataldi,  dikur i larguar dhe i konsideruar i panevojshëm – mori një tjetër shans falë Tares. Edhe afrimet e rëndësishme si Romagnoli dhe Provedel mbajnë firmën e tij.

Skuadra aktuale bardhekaltër përfshin edhe emra si Marusic dhe Lazzari, që vijojnë të jenë titullarë të rëndësishëm. Marusic, në veçanti, ka qenë gjithnjë një gur i sigurt në çdo skemë taktike, ndërsa Sarri e përdor në të dyja krahët e mbrojtjes.

Edhe mesfushori Basic, dikur në prag largimi, është shndërruar në një nga zbulimet e fundit, i rikthyer në listë për shkak të dëmtimeve dhe shpesh ndër më të mirët në fushë. Sfida e së shtunës nuk është thjesht një ndeshje kampionati: është një takim mes të shkuarës dhe të tashmes së Igli Tares.



Read it all at Bota Sot