Kjo situatë nuk ndodhte prej më shumë se 70 vitesh

- Bota Sot

Kjo situatë nuk ndodhte prej më shumë se 70 vitesh

Liverpuli vijon të kalojë një formë të tmerrshme në muajt e fundit, dhe një tjetër rezultat i turpshëm për “Reds” erdhi të mërkurën në shtëpi kundër PSV Eindhoven në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i Arne Slot humbi 1-4 dhe tani është në një seri prej tre humbjesh radhazi, me një diferencë golash prej 1-10.

Kampionët në fuqi të Anglisë kanë humbur nëntë nga 12 ndeshjet e tyre për herë të parë që nga sezoni 1953-1954.

Është gjithashtu hera e parë që nga dhjetori 1953 që ata kanë humbur tre ndeshje radhazi me të paktën tre gola diferencë. Vetë trajneri i Liverpulit nuk u shmang nga mërzia kur analizoi humbjen e pësuar nga “Reds” kundër PSV Eindhoven (1-4) në ‘Anfield’. Pas vërshëllimës së fundit, në zonën e intervistave, trajneri holandez nuk i kurseu fjalët dhe kaloi direkt në pikën e diskutimit.

“Në javët e fundit ka qenë gjithmonë e njëjta pyetje. Emocioni është shumë negativ dhe dekurajues. Kam qenë dhe dua të jem pozitiv në lidhje me reagimin e lojtarëve pas 1-0, sepse deri në pjesën e parë luajtëm një ndeshje shumë të mirë. E përjetuam atë zhgënjim me golin e tyre, por u rikthyem në lojë dhe madje patëm mundësi për të fituar 2-1 në pjesën e parë. Askush nuk priste që ne të përfundonim duke humbur 4-1”, analizoi Slot.

Pas kësaj humbje, rrjetet sociale kanë shpërthyer me reagimet e tifozëve të Liverpulit, të cilët kërkojnë largimin e Arne Slot. Bordi drejtues i klubit i ka dhënë besim mësohet të paktën deri në ndeshjen e kampionatit ndaj Uest Hemit në transfertë, këtë fundjavë.

Kurse vetë tekniku holandez pas ndeshjes tha se nuk është i shqetësuar për të ardhmen e tij dhe se duhet ecur përpara që të sigurojnë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt.”Jo, nuk jam i shqetësuar. Fokusi im është në gjëra të tjera në vend që të shqetësohem për pozicionin tim. Duhet të bëj më mirë.

E vetmja mënyrë për të ecur përpara është të kalojmë tutje. Duhet të përballemi me situatën ku ndodhemi dhe të luftojmë shumë fort”, ka deklaruar Arne Slot.

Edhe Kurtis Xhons është shfaqur mjaft kritik:

“Për momentin jemi në telashe dhe kjo duhet të ndryshojë. Në fund të ditës ne ende e kemi atë stemë në zemër.

Derisa ajo stemë të largohet, ne do të luftojmë dhe do të përpiqemi ta rikthejmë këtë skuadër aty ku duhet të jetë. Duhet të tregojmë pse Liverpul është skuadra më e mirë në botë”.

Këto fjalë tregojnë vendosmërinë e lojtarit për të rikthyer skuadrën në nivelin që i takon, pavarësisht krizës aktuale.



Read it all at Bota Sot