Kryetari i klubit të futbollit Shkëndija e Haraçinës, Isuf Bajrami, reagon ashpër pas dënimit të klubit.
Komisioni Disiplinor pranë FFM-së ka dënuar Shkëndijën e Haraçinës me katër ndeshje pa prani të publikut dhe me 4. 000 euro, pas incidentit kundër Bregallnicës nga Shtipi.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryetari i klubit, Isuf Bajrami, i cili përmes një postimi në Facebook ka shprehur revoltën e tij të madhe.
“E njëjta skemë, i njëjti sistem. Ndryshojnë vetëm njerëzit që rrinë aty, por mentaliteti mbetet si para 30 viteve. Kështu nuk mund të vazhdohet më.
Meritën duhet ta marrë ai që investon, ai që punon, ai që e do futbollin dhe sportin, jo ai që caktohet nëpër zyra për interesa politike dhe nacionale.
Një thirrje për të gjithë tanët që janë ende aty, mos rrini për një rrogë dhe mos u bëni argat i askujt. Lëshojini vendet nëse as nuk pyeteni, as nuk respektoheni, ose as e dini pse jeni aty. Dinjiteti vlen më shumë.
Dhe për ju, publiku ynë i dashur, që gjithmonë keni qenë me klubin dhe e doni më shumë se gjithçka tjetër, ja çka ndodh për shkak të 2–3 personave që nuk dëgjojnë, edhe kur e dinë se të gjithë i kemi kundër. Por besoni, bashkë do ta përballojmë edhe këtë.
Një gjë duhet ta dinë të gjithë, sa më shumë që mundohen të na shtypin, aq më të fortë kthehemi.
Forca Shkëndija – gjithmonë pranë teje!”, reagon Bajrami.