Nkunku-Leao dyshja sulmuese

- Bota Sot

Nkunku-Leao dyshja sulmuese

Milan do të përballet sonte me Lazion me pothuajse të njëjtën formacion që fitoi derbin të dielën e kaluar, me dhjetë nga njëmbëdhjetë lojtarët e konfirmuar.

Ndryshimi i vetëm do të jetë partneri i Rafa Leaos në sulm. Christian Pulisic është përjashtuar nga lista e të grumbulluarve për shkak të një lodhjeje në kofshë, të cilën e ndjeu të mërkurën. Ish-lojtari i Chelseat nuk u stërvit me shokët e skuadrës dje, por u kufizua në kryerjen e terapive.

Mbetet për t’u vlerësuar nëse Pulisic do të jetë në dispozicion për “hakmarrjen” e së enjtes kundër Lazios, ndeshjen e Kupës së Italisë në “Olimpico”, apo nëse do të rikthehet me Torinon, më 8 dhjetor.

Dëmtimi i “Kapiten Amerikës” nuk shkakton shqetësim të veçantë, edhe pse trajneri Allegri do të kishte dashur ta përdorte atë përkrah Leaos për ndeshjen e dytë radhazi. Në seancën e djeshme, trajneri provoi Nkunku-n pranë portugezit, i cili kështu është në avantazh në garën me Loftus-Cheek.

Anglezi, një “jolly” i vërtetë për mesfushën dhe sulmin, pritet të nisë nga stoli dhe të luajë aty ku do të ketë më shumë nevojë. Leao dhe Nkunku e nisën për herë të fundit nga minuta e parë në Parma, në barazimin 2-2. Është konfirmuar rikuperimi i Saelemaekers, i cili të mërkurën kishte ndjerë dhimbje në shpinë.

Skuadra darkoi dje në mbrëmje në Milanello dhe qëndroi në grumbullim. Sot në mëngjes është parashikuar seanca ku do të provohen goditjet standarde.

Përveç Pulisic, nuk janë grumbulluar as Gimenez, i cili javën e ardhshme do të rrisë ngarkesat e punës (ende pa datë rikthimi) dhe Athekame, i cili është jashtë fushave pas pushimit të fundit të kombëtareve për shkak të një dëmtimi në muskulin soleus të kofshës. Në stol do të jenë vetëm gjashtë lojtarë fushë, përveç dy portierëve; asnjë i ri nga Primavera apo Milan Futuro.



Read it all at Bota Sot