Ndeshjet e javës së fundit të kampionatit në Abissnet Superiore, të transmetuara direkt në RTSH, dhuruan emocione, por shumë pak gola. Në 5 ndeshje u shënuan vetëm 4 gola dhe 2 prej tyre në sfidën mes Flamurtarit dhe Vorës. Dy golat e tjerë i shënuan Egnatia ndaj Tiranës dhe Teuta ndaj Vllaznisë.
Gjashtë skuadra, më shumë se gjysma e kampionatit, nuk arritën ta gjenin rrugën e rrjetës. Goli këtë fundjavë ishte një makth i vërtetë edhe për skuadrat që mbajnë pozicionet e para në tabelën e renditjes. Vllaznia, Elbasani dhe Dinamo nuk shënuan, po ashtu edhe Partizani, Bylis e Tirana. Asnjë skuadër nuk mundi të shënonte 2 gola në një ndeshje.
Edhe pse në disa sfida janë krijuar raste të pastra shënimi, ato nuk janë finalizuar, çka tregon se shumica e skuadrave vuajnë mungesën e atyre që në gjuhën e futbollit quhen “sulmues race”. Listën e shënuesve më të mirë të kampionatit e udhëheq veterani Bekim Balaj.
Pas tij ka një vakum goleadorësh, pasi shënuesi i dytë më i mirë ka një diferencë goxha të madhe, është në kuotën e 4 golave.
Trajnerët shpesh e kanë evidentuar si mangësi dhe shohin si “shpëtim” merkaton e dimrit, por aty do të jetë shumë e vështirë që të gjejnë sulmues me kualitet.
Abissnet Superiore ka humbur shumë gola nga sezoni i shkuar me shitjen në merkaton e verës të lojtarëve si, Peter Itodo Mandela dhe Baton Zabërgja, të dy të Dinamos, apo dhe Regi Lushkja i Egnatias.