Atalanta ka fituar me shifrat 2:0 ndaj Fiorentinës në ndeshjen e sotme në Serinë A, duke zhytur edhe më shumë në fundin e tabelës së klasifikimit skuadrën e qytetit të Firences, e cila ka vetëm 6 pikë pas 13 ndeshjesh.
Një situatë katastrofike që duket e vështirë për t’u përmbysur dhe për të cilën tifozët që kishin udhëtuar për të ndjekur ndeshjen në Bergamo, kanë kërkuar llogari nga lojtarët në fund të takimit.
Sulmuesi boshnjak Edin Xheko, ka zgjedhur që të sqarohet me tifozët në mënyrën e tij, Ai ka marrë një megafon dhe është shfaqur poshtë tribunës së ultrasve duke i kërkuar atyre ndjesë për rezultatet, por edhe duke u kërkuar mbështetje.
“Kemi nevojë për mbështetjen tuaj më shumë se kurrë”, mësohet t’u ketë thënë tifozëve në ato momente sulmuesi i afruar gjatë kësaj vere në radhët e Fiorentinës.
Një sqarim burrëror që duket se është mirëpritur nga mbështetësit e kësaj skuadre, të cilët në fund duartrokitën ekipin dhe kënduan në kor “Duam 11 luanë!”, para se skuadra të shkonte në dhomat e zhveshjeve.