Pamje shqetësuese, polici kroat rrah të burgosurin në automjetin e policisë

- Bota Sot

Pamje shqetësuese, polici kroat rrah të burgosurin në automjetin e policisë

Në rrjetet sociale sot është shpërndarë një video ku një polic kroat në një automjet policie rreh një burrë të arrestuar, ndërsa kolegët ia mbyllin dyert e automjetit. Siç shihet në video, i arrestuari është lidhur me pranga.

Nga Drejtoria e Policisë Split-Dalmaci kanë konfirmuar se videoja është bërë sot në Tril.

Ata thonë se policët nga Stacioni Policor Sinj, sipas urdhrit të Prokurorisë Rajonale, po punonin për sjelljen e të akuzuarit. Policia thotë se burri i arrestuar fillimisht e sulmoi verbalisht, e më pas edhe fizikisht policin. Kjo nuk shihet në video, raporton index.hr.

“Pas sulmit, punonjësi i policisë ka përdorur mjete detyruese ndaj personit – forcë fizike dhe mjete lidhëse. Gjatë prangosjes së personit ka ndodhur ngjarja që shihet në video”, thonë nga Drejtoria e Policisë Split-Dalmaci.

Ata shtojnë se kanë informuar prokurorinë dhe po zhvillojnë një hetim kriminalistik.

Policia thotë se i arrestuari nuk ka lëndime të dukshme, por për shkak të rrethanave është dërguar për kontroll mjekësor.



Read it all at Bota Sot