Mbrëmja e somte ofron një supersfidë interesante në Kupën e Italisë: Lazio-Milan.
Në njëfarë mënyrë është një finale e parakoshhme, pasi përballen dy skuadra që e kanë objektiv në çdo sezon këtë trofe.
Skuadra e Maurizio Sarrit ka shansin të reagojë pas humbjes së fundjavës në “San Siro”, një ndeshje që u mbyll mes polemikave dhe pakënaqësive nga të dy krahët.
Kryeqytetasit kërkojnë përmbysje të menjëhershme, ndërsa përballë do të kenë Milanin e drejtuar nga Massimiliano Allegri, i cili synon vazhdimësinë në një kompeticion ku “Djalli” ka traditë dhe kërkon të shkojë sa më larg.
Fituesi i kësaj sfide do të përballet në raundin tjetër me ekipin që do të dalë triumfues nga dueli Bologna–Parma, duke shtuar më tej peshën e kësaj përballjeje dhe ambiciet e të dyja formacioneve.