Barcelona sfidon Liverpoolin për transferimin e Guehi

- Bota Sot

Barcelona sfidon Liverpoolin për transferimin e Guehi

Barcelona nuk e ka përjashtuar mundësinë për të bërë një lëvizje drejt mbrojtësit Marc Guehi në verën e ardhshme, ndërsa kapiteni i Crystal Palace pritet të jetë në qendër të një gare të fortë mes klubeve më të mëdha europiane.

25-vjeçari ishte pranë transferimit te Liverpool në ditën e fundit të merkatos së verës, por marrëveshja u prish në momentet e fundit. Që atëherë, mbrojtësi i Anglisë ka vijuar të shkëlqejë me fanellën e Palace, duke ruajtur formën dhe profesionalizmin mes interesimit të madh nga Premier League dhe jashtë saj.

Barcelona dhe Real Madrid e kanë mbajtur nën vëzhgim, ndërsa kontakte ka patur edhe me Bayern Munih.

Liverpool pritet të rikthehet me një ofertë, ndërsa Manchester City e ka ndjekur prej kohësh.

Guehi i përfundon kontrata me Crystal Palace këtë verë dhe ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të firmosë rinovim. Kjo i hap rrugën një marrëveshjeje paraprake me klube jashtë Anglisë që nga janari, opsion që kampi i tij po e konsideron seriozisht.

Nuk pritet që ai të largohet me pagesë gjatë merkatos së janarit, ndërsa Palace, pavarësisht tensioneve të brendshme, e mbajti në klub në verë edhe pasi kishte kaluar pjesërisht vizitat mjekësore me Liverpool për një marrëveshje prej 35 milionë paundësh.



Read it all at Bota Sot