Juventus, sapo ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, përballet me një lajm shumë të rëndë në prag të sfidës së madhe të së dielës kundër Napolit.
Federiko Gati ka dalë nga fusha i dëmtuar në ndeshjen ndaj Udinezes dhe paraditen e së enjtes mbërriti në “J Medical” me paterica për kontrollet e nevojshme.
Ekografitë dhe rezonanca zbuluan një dëmtim të meniskut medial në gjurin e djathtë, i njëjti problem që më herët ka goditur edhe Bremerin. Për Gatin, ndërhyrja kirurgjikale është e pashmangshme dhe pritet të kryhet brenda pak ditësh, me një kohë rikuperimi prej të paktën një muaji. Mbrojtësi u dëmtua pa kontakt gjatë një dueli me Buksa në minutat e para të pjesës së dytë, duke thirrur menjëherë stafin mjekësor.
Tashmë, mungesa e tij i shtohet atyre të Bremer dhe Ruganit, duke e lënë Spaletin në emergjencë totale në repartin difensiv. Në dispozicion mbeten vetëm Kalulu, Kelli dhe Kopmeiners, përveç të riut Pedro Felipe. Për Gattin, sezoni 2025 praktikisht mbyllet këtu. Një goditje e hidhur për Juventusin, që këtë dhjetor ka një kalendar të mbushur me sfida vendimtare.