Arsenal ka shprehur interes serioz për sulmuesin e Juventusit, Kenan Yıldız, i cili po konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit europian në këtë moment.
Sipas raportimeve nga Fichajes, klubi londinez ka bërë tashmë kontaktet e para për një transferim të mundshëm, ndërsa 20-vjeçari turk vlerësohet rreth 75 milionë paund.
Megjithatë, Arsenali nuk është i vetmi në garë, pasi edhe Real Madrid po monitoron nga afër situatën dhe shihet si një rival i fortë për shërbimet e lojtarit.
Yıldız shihet si një përforcim ideal për Arsenalin, i cili kërkon më shumë kreativitet dhe efikasitet në fazën sulmuese. Aftësia e tij për të luajtur si në krahë ashtu edhe në qendër e bën atë një element mjaft të përshtatshëm për stilin e lojës së Artetës.
Pavarësisht çmimit të lartë, “Topçinjtë” besojnë se ai mund ta justifikojë investimin falë potencialit të madh për t’u kthyer në një futbollist të klasit botëror.
Nga ana tjetër, Real Madrid, edhe pse ka një skuadër të pasur me cilësi, kërkon të shtojë më shumë “X-factor” në repartin e sulmit, dhe Yıldız shihet si një profil perfekt për t’i dhënë ekipit më shumë freski.
Në moshë të re dhe me një të ardhme premtuese, turku pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar të merkatos, me të dy klubet që do të luftojnë për ta bindur të bashkohet me projektet e tyre ambicioze.