Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të marrë rajonin e Donbasit në Ukrainë “me mjete ushtarake ose të tjera”, duke qëndruar i palëkundur në një nga kërkesat e tij kryesore, ndërsa zyrtarët ukrainas përgatiten për bisedime të reja paqeje me Shtetet e Bashkuara.
Putin mbërriti të enjten në Nju Delhi, ku do të pritet nga kryeministri indian Narendra Modi, vetëm dy ditë pas një takimi në Kremlin me një delegacion amerikan të udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff.
Në një intervistë për India Today para samitit me Modin, Putin tha se Rusia do të “çlirojë Donbasin dhe Novorosinë me çdo kusht”, duke sqaruar se një fitore ruse do të arrihej vetëm kur të përmbusheshin objektivat e vendosura në fillim të operacionit ushtarak.
Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të dorëzojë territor në Donbas, të cilin Rusia e ka aneksuar ilegalisht, por nuk e ka pushtuar plotësisht. Analiza të Institutit për Studimin e Luftës sugjerojnë se me ritmin aktual, forcat ruse do të arrinin të pushtonin krejt rajonin e Donetskut vetëm deri në gusht të vitit 2027.
Pas takimit me Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump, Putin tha se Rusia nuk pajtohet me disa nga pikat e propozimit amerikan për paqe, por i cilësoi bisedimet si një “detyrë të vështirë”, duke përsëritur kërkesën për tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se delegacioni i tij pati një “takim shumë të mirë” me Putinin, por pa një përparim konkret.
Nga takimet janë zbuluar pak detaje, përfshirë deklaratat e këshilltarit rus Yuri Ushakov, i cili konfirmoi se çështja territoriale ishte pjesë thelbësore e diskutimeve.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas udhëtojnë drejt SHBA-së për të zhvilluar bisedime mbi një plan të ri për t’i dhënë fund luftës, raporton CNN, duke cituar një burim.
Zyrtarët ukrainas Rustem Umerov dhe Andrii Hnatov po udhëtojnë drejt Miamit për të diskutuar rezultatet e takimeve në Moskë me zyrtarët amerikanë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se synimi është marrja e informacionit të plotë mbi qëndrimin e Rusisë dhe arsyet e reja të Putinit për ta zgjatur luftën.
Bisedimet e reja vijnë vetëm katër ditë pas një takimi të mëparshëm mes SHBA-së dhe Ukrainës, të cilin sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio e cilësoi si një seancë “shumë produktive dhe të dobishme”.