Harry Kane thuhet se po mundohet të “tundojë” një bashkëlojtar të Anglisë që t’i bashkohet Bayern-it, qoftë në merkaton e janarit apo pas përfundimit të sezonit.
Kontrata e Marc Guehi me Crystal Palace skadon verën e ardhshme dhe klubi ka bërë të ditur se qendërmbrojtësi do të largohet.
Në ditën e fundit të merkatos së shtatorit, Guehi ishte shumë pranë një transferimi te Liverpool për rreth 35 milionë euro, por marrëveshja u prish në momentet e fundit pasi Palace nuk arriti të gjente një zëvendësues të tij.
“Të Kuqtë” pritet të rikthehen me një interes të ri muajin e ardhshëm, megjithëse me gjasë nuk do të ofrojnë sërish shifrën 35 milionë euro. Disa raportime tregojnë se Palace mund të pranojë një shumë rreth 25 milionë euro.
Por Liverpool nuk është i vetmi klub në garë. Për 25-vjeçarin ka interes nga disa skuadra evropiane, mes tyre edhe Bayern, ku Kane po përpiqet ta bindë mbrojtësin që të braktisë Londrën dhe të transferohet në Mynih.