Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, kritikoi ashpër trajtimin që trajneri Ruben Amorim i ka bërë Kobbie Mainoos.
Mainoo, 20 vjeç, pati një sezon shpërthyes vitin e kaluar, por këtë edicion ka qenë titullar vetëm një herë – në eliminimin befasues të Kupës Carabao ndaj Grimsby Town në gusht.
Mesfushori e kaloi të gjithë ndeshjen e së enjtes në Premierligë kundër West Hamit në stol dhe pa shokët e tij të skuadrës të barazonin 1-1 në “Old Trafford”.
Pas ndeshjes, Amorimi u pyet për mungesën e tij në formacion dhe këmbënguli se e sheh anglezin po aq titullar sa çdo lojtar tjetër në skuadër.
Tekniku portugez tha se mungesa e aktivizimit të Mainoos vjen vetëm si pasojë e zgjedhjes së tij personale.
Amorim tha: “Unë e shoh atë si titullar, si edhe lojtarët e tjerë. Thjesht duhet të bëj një zgjedhje dhe në fund, ajo nuk ka qenë Kobbie. Në të ardhmen, nuk e di. Gjithmonë mendoj të njëjtën gjë si me Casemiron. Ai nuk po luante dhe pastaj luajti. Unë thjesht dua të fitoj ndeshje. S’më intereson kush luan”.
Megjithatë, Scholes nuk pranoi asgjë nga justifikimet e Amorimit dhe reagoi fort ndaj deklaratave të trajnerit të United.
Ish-mesfushori legjendar nuk e pranon faktin që Mainoo lihet jashtë “nga një ekip që s’mund të kontrollojë një ndeshje futbolli”.
Ylli anglez këmbënguli se i riu “po shkatërrohet” te United dhe nuk do ta fajësonte aspak nëse ai do të largohej.
Scholes shkroi në një story në Instagram: “Budallallëk! Djali po shkatërrohet duke mos u aktivizuar në një skuadër që nuk kontrollon dot një ndeshje futbolli. Më vjen urrejtje kur shoh lojtarë të rritur në klub të largohen, por ndoshta tani kjo është më e mira për të, boll më”.
Mainoo dëshironte të largohej në huazim te Napoli në fazat e fundit të merkatos së verës.
Kampionët e Italisë ende po e ndjekin nga afër mesfushorin përpara merkatos së janarit.
E vetmja ndeshje që Mainoo ka nisur titullar këtë sezon ka qenë ajo e daljes katastrofike ndaj Grimsby Town më 27 gusht në Kupën e Ligës.
Mainoo ka grumbulluar vetëm 171 minuta në këtë kampanjë të Premierligës.
Para se të vinte Amorimi, Mainoo kishte luajtur titullar në 37 nga 52 ndeshje që prej debutimit të tij të plotë në ligë kundër Everton në nëntor 2023.
Erik ten Hag ishte aq mbështetës për Mainoo sa e aktivizoi atë titullar në 27 nga 28 ndeshjet e fundit të sezonit 2023-24.
United është i dobët në mesfushë – Mainoo është një nga vetëm tre mesfushorët qendrorë të mirëfilltë – dhe klubi do të humbasë Mbeumo, Amad Diallo dhe Noussair Mazraoui për Kupën e Kombeve të Afrikës.
Kjo mund të jetë rruga e kthimit për Mainoon. AFCON fillon më 21 dhjetor, ditën kur United udhëton tek Aston Villa.